Nis shpërndarja e dëmshpërblimeve shtëpitë e shembura në Bago
Dy muaj pas shembjes së disa shtëpive në fshatin Bago të komunës Synej, është bërë edhe zhdëmtimi i tyre sipas shkallës së dëmit. Nëntë shtetas që u dëmtuan dhe mbetën pa strehë nga rrëshqitja e tokës në Bago, tashmë kanë mundësinë për të marrë paratë në bazë të vlerësimit që iu bënë atyre nga disa komisione lokale dhe qendrore.
Burime nga komuna e Synejit kanë bërë të ditur se në total qeveria ka miratuar një shumë prej rreth 60 milion lekë të reja për 9 shtëpi të dëmtuara plotësisht. Zhdëmtimi për banorët e fshatit Bago fillon nga 2.6 milion lekë të reja deri në 9.4 milion lekë për shtëpitë trekatëshe. Konkretisht në komunën e Synejit ka ardhur lista e detajuar me shumën përkatëse që do të përfitojnë banorët e dëmtuar nga shembja e shtëpive. Shumat përkatëse mësohet se janë xhiruar nga dega e thesarit dhe tashmë banorët do të fillojnë tërheqjen e lekëve nëpërmjet bankës. Sipas kryetarit të komunës të Synejit, Përparim Çaça, tërheqja e parave fillon sot. Lista e përfitimit të secilit nga banorëve është; Pëllumb Halil Gjeçi, i cili përfiton 7 225 228 lekë; Vathe Isuf Gjeçi (Indrit), do të dëmshpërblehet me 9 421 364 lekë; Qazim Halil Gjeçi, me 4 596 409 lekë; Sokol Ali Gjeçi, me 8 018 477 lekë; Bajram Ramazan Gjeçi, me 2 627 708 lekë; Fiqiret Taip Shehi, me 9 348 695 lekë; Festim Ibrahim Gjeçi, me 4 626 919 lekë; Nazim Shahin Muça, me 4 290 759 lekë dhe Azem Halil Gjeçi (Edmond), me 9 312 084 lekë. Shuma totale e dëmshpërblimeve kap shifrën prej 59 467 643 lekësh.