E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca miraton transaksionin e shitblerjes së 76% të aksioneve të OSSH

Komisioni i Konkurrencës miratoi në mbledhjen e djeshme, autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet transaksionit të shitblerjes së 76 % të aksioneve të OSSH sh.a nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës tek shoqëria Cez a.s. Transaksioni i blerjes së 76 % të aksioneve te shoqërisë OSSH sh.a nga Shoqëria Cez a.s. është realizuar nëpërmjet "Marrëveshjes për blerje aksionesh" e datës 11 Mars 2009, nënshkruar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) dhe shoqëria Cez a.s. Marrëveshja e datës 11 Mars 2009 e përqendrimit të synuar është miratuar nga Kuvendi me datë 23 Prill 2009. Burime nga Komisioni i Konkurrencës bënë të ditur se ky transaksion paraqitet si përftim kontrolli i drejtpërdrejtë ku OSSH sh.a do kontrollohet nga aksioneri maxhoritar Cez a.s si zotërues i 76% të kapitalit aksioner me të drejtë vote. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës si përfaqësues i shtetit shqiptar do të zotërojë 24 % të aksioneve. Tregu i shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike është një treg i rregulluar nën mbikqyrjen e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, i cili ka kompetencë të miratojë tarifat dhe metodologjitë e llogaritjes së çmimit për konsumatorët finalë. Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë në mënyrë të drejtpërdrejte dhe të vazhdueshme tregun e energjisë elektrike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›