E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shpërndarja e formularit per Masterat

Nga Esmeralda Keta
I përgatitur nga vet fakultetet, ai mund të tërhiqet falas pranë sekretarive dhe pasi kandidatët shënojnë preferencat, ai dorëzohet sërish. Por ne te nuk mungojne mangesite 

TIRANE-Të gjithë ata të rinj që kanë mbaruar 3- vjeçarin por duan t’i çojnë më tej studimet e larta, duhet që më parë të plotësojnë një formular. I përgatitur nga vet fakultetet, ai mund të tërhiqet falas pranë sekretarive dhe pasi kandidatët shënojnë preferencat, ai dorëzohet sërish. Në bazë të këtyre preferencave, fakultetet do të bëjnë më pas shpërndarjen e kuotave. Me gjithë dëshirën e mirë, duket se formulari i studimeve të avancuara është plot mangësi, duke filluar që nga gjuhët e huaja, në të cilin është harruar Anglishtja, megjithëse ish-ministri Pollo e ka pasur si prioritet të tij projektin “Shqipëria Anglofone”.
Formulari
Nëpër fakultete janë shpërndarë dy modele formularësh, të cilët në fakt ndryshojnë vetëm nga emërtesa në krye të faqes. Njëri model, “formular i kërkesës për programin e diplomës së dytë (DND)” do të përzgjidhet nga ata që duan të nisin Ciklin e dytë të studimeve dhe tjetrin, “formular i kërkesës për programin e diplomës MPN (redaktor)” do ta plotësojnë ata që duan të nisin Masterin e nivelit të Parë. Kështu, në fakultetin e Filologjisë, ata që kanë mbaruar degën e Gjuhë-Letërsisë dhe që duan të ndjekin Masterin e nivelit të Parë, kanë mundësi të zgjedhin midis tri profileve: mësuesi, arkiviste dhe redaktore. Këto kërkesa do të depozitohen në sekretaritë e fakulteteve dhe më pas do të jenë departamentet ato që do të bëjnë shpërndarjen e studentëve nëpër profile, duke marrë në konsideratë, përveç kritereve të tjera edhe preferencën që kanë shënuar vetë studentët.
Të dhënat
Formulari i thellimit të studimeve të larta është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që jep të dhëna për studimet e mëparshme, institucionin ku i ka bërë këto studime, dega që ka mbaruar, titulli i diplomës së fituar, nota mesatare si dhe të dhënat personale duke filluar që nga emri, mbiemri, gjinia, datëlindja si dhe adresa e kandidatit që aplikon për të çuar më tej studimet e larta. Ndërkohë që një paragraf i veçantë në këtë formular i kushtohet edhe zotërimit të gjuhëve të huaja në të tri aspektet (lexim, shkrim dhe të folur). Në të janë renditur frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja, por është harruar gjuha angleze, megjithëse Ministria e Arsimit ka deklaruar se do t’i japë prioritet maksimal kësaj gjuhe për të pasur një konkurrencë sa më të denjë në tregun e punës. Ndërsa në pikën e fundit të këtij formulari, të rinjtë duhet të shënojnë qëllimin se përse dëshirojnë të ndjekin studimet pasuniversitare në këtë program studimi. Programet e studimeve, Master i nivelit të Parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›