E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shpërndarja e këstit të dytë për ish-të përndjekurit

14/03/2012  Vendimi përjashton bashkëpunëtorët me pushtuesit

Afati i shpërndarjes së këstit të dytë të dëmshpërblimit për subjektet përfituese do të nisë më 26 të këtij muaji. Vendimi u mor dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ku gjatë prezantimit të ndryshimit të vendimit nr. 419, datë 14.04.2011 “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist” Kryeministri Berisha tha se nuk do të shpërblehen ata persona që vërtetohen se kanë qenë bashkëpunëtorë me pushtuesit. Vendimi në fjalë synon përmbushjen me seriozitet, në kohë dhe me cilësi të detyrimit që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve të regjimit komunist. Në kuadër të skemës së miratuar, afati i shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit është llogaritur që për këstin e dytë të fillojë pas përfundimit të miratimit të plotë të dëmshpërblimit për të gjithë ish-të përndjekurit politikë. Ky proces është tashmë drejt finalizimit dhe pritet shpërndarja e këstit të dytë të dëmshpërblimit për kategoritë e të dënuarve me burgim, si dhe për familjarët e viktimave të ekzekutuara me vendim gjyqësor apo urdhër tjetër. Ndërkohë që sipas vendimit në fjalë afati i shpërndarjes së këstit të tretë fillon një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të dytë, afati i shpërndarjes së këstit të katërt fillon një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të tretë e kështu me radhë deri në shpërndarjen e këstit të tetë një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të shtatë. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan këstin e dytë të dëmshpërblimit dhe këstet e tjera në vijim për çdo subjekt përfitues, sipas ligjit me radhë përparësie: të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 65 vjeç; të dënuarit politikë dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht me gjyq ose pa gjyq për motive politike, të cilët vuajnë sëmundje të rënda. Llojet e dokumentacionit ku vërtetohet gjendja e rëndë e subjektit përfitues dhe procedurat e paraqitjes së tyre përcaktohen me udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Shëndetësisë. Me zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Financave.

Qëllimi

Vendimi synon përmbushjen me seriozitet, në kohë dhe me cilësi të detyrimit që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve të regjimit komunist, si dhe përcakton afatin e shpërndarjes së këstit të dytë të fondeve të dëmshpërblimit, i cili fillon më 26 mars 2012.

Përparësia

Dëmshpërblimi i këstit do të bëhet me radhë përparësie: të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 65 vjeç; të dënuarit politikë dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht me gjyq ose pa gjyq për motive politike që cilët vuajnë sëmundje të rënda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›