E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, LSI kundër PS-së dhe PD-së

14/03/2012  Sekretari i përgjithshëm, Rama, reagon për ecurinë e procesit

“Korrektim kombëtar të sistemit dhe kufizim i rajoneve”

Lëvizja Socialiste për Integrim në kuadër të shqetësimit të saj për reformën zgjedhore është deklaruar kundër dy partive kryesore në vend. Sekretari i përgjithshëm Luan Rama përmes një konference për mediet, duke vënë theksin te respektimi i votës, ka deklaruar se PD-ja e PS-ja, që kanë monopolin e deformimit të sistemit, nuk kanë vullnetin të korrigjojnë gabimin që vetë kanë bërë. “Në këto kushte, LSI-ja insiston që palët të ngrihen mbi interesat partiake dhe ta vendosin procesin e reformës në seriozitetin dhe në ritmin që kërkon garantimi i një procesi zgjedhor që në thelbin e vet të garantojë barazinë e votës”, - tha Rama. Në këto kushte, ai bëri propozime konkrete për reformën zgjedhore, duke kërkuar ndërhyrjen në ligj për ndarjen e zonave zgjedhore. “Kjo do të thotë se është zgjidhja më e mirë e mundshme, që për të evituar diskriminimin apo pabarazinë e votës mund të shkonim te një ndarje me një numër më të kufizuar rajonesh zgjedhore. Ndoshta numri 6 do të ishte zgjidhja më e pranueshme. Rajone zgjedhore që të kenë numër të përafërt zgjedhësish, çka do t’i jepte vlerë edhe kuvendit që del pas këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që të përfaqësojë realisht vullnetin dhe votën e qytetarëve shqiptarë”, - propozoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së. Sa i takon sistemit zgjedhor, LSI-ja propozon aplikimin e sistemit aktual, pra proporcional rajonal, me mundësinë e korrektimit të tij. “Natyrisht që çdo gjë që i shërben përmirësimit të sistemit dhe çdo hap që bën të mundur garantimin e barazisë së votës dhe transparencën e procesit është hap që duhet konsideruar dhe duhet bërë objekt i diskutimit edhe të tryezës së punës së komisionit të posaçëm. Por kurrsesi nuk duhet të përdoret korrektimi për të faktorizuar në mënyrë artificiale subjekte që nuk votohen më nga qytetarët shqiptarë”, - vijoi Rama. Duke nënvizuar se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë, të deformojë, të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve, funksionari i lartë i LSI-së insistoi se reforma ka nevojë për seriozitet, ka nevojë për vullnet real politik, ka nevojë për transparencë dhe hapësira gjithëpërfshirëse, ku çdokush të japë dhe të ofrojë kontribute pozitive. “Çështja e reformës ka të bëjë me fondamentin e zgjedhjeve, që janë në thelbin e vlerës që merr demokracia në një shoqëri demokratike”, - përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›