E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vota “pro” nëse ka reformë në drejtësi

14/03/2012  Zyrtarët pa imunitet, kreu socialist shpalos kushtet për ftesën e Kryeministrit

PS e PD deklarata për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë

Klasa politike vijon të marrë e rimarë për të disatën herë çështjen e imuniteteve. Kështu, gjatë ditës së djeshme drejtuesit politikë janë përqendruar në këtë pikë, ku si herët e tjera shprehin gatishmërinë për t’u zhveshur nga imuniteti parlamentar. Por kjo vetëm në kuadrin e deklaratave, pasi deri tani nuk ka një nismë konkrete drejt finalizimit të kësaj çështjeje. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, rishprehu qëndrimin e partisë së drejtuar prej tij në mbështetje të saj, por duke e lidhur atë ngushtësisht me reformën në drejtësi.

Imuniteti

Në këtë mënyrë, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të qeverisë për të miratuar heqjen e imunitetit, Rama konfirmoi se heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë është prioritare për PS-në. “Ka kohë që jemi shprehur publikisht për këtë, por si për të gjitha çështjet, as kjo nuk mund të jetë e shkëputur nga një vizion tërësor i reformës në drejtësi. Zgjedhja është e qartë: drejtësia të jetë një shërbim publik që jepet sipas ligjit dhe jo sipas mundësisë për ta blerë atë. Pushteti i sotëm, si për të gjitha shërbimet publike, ka zgjedhur që ato të ofrohen sipas mundësisë për t’i blerë. Ne jemi të vendosur për të kundërtën. Që të gjitha shërbimet publike të bëjmë të mundur që të jepen sipas nevojës, përfshirë dhe drejtësinë që duhet të jepet vetëm sipas ligjit”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij përpara ligjvënësve socialistë, të cilët zhvilluan dje mbledhjen e përjavshme.

Drejtësia

Në ligjëratën e tij në mbledhjen e grupit kuvendor socialist Rama u ndal dhe në vendimin e gjykatës lidhur me çështje “Gërdeci”. Sipas tij, ky vendim shfaqi qartë degradimin e sistemit të drejtësisë në vend. "Procesi i përjashtoi shkaktarët e mëdhenj të tragjedisë dhe dha vendime selektive dhe ato tejet zhgënjyese për opinionin publik, duke goditur përsëri edhe vetë Prokurorinë e Republikës”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij, duke shtuar se “ky vendim ishte një goditje e rëndë për drejtësinë dhe për besimin e qytetarëve tek ajo”.

Komunikimi

Lidershipi socialist bëri publik dje në fjalën e tij detaje të strategjisë së PS-së për komunikimin me qytetarët. “Doja të nënvizoja domosdoshmërinë që grupi parlamentar dhe seancat publike të Kuvendit të Shqipërisë të bëhen për ne pjesë e rrugës së programit “Për një rilindje shqiptare”. Të bëhen për ne hapësirat ku përmes përfaqësuesve më të lartë të popullit opozitar në Kuvendin e Shqipërisë zgjedhja të bëhet e qartë”, - vuri në dukje Rama. Në këtë linjë kreu socialist shtoi se “dallimi i qartë na takon ne ta bëjmë në çdo debat e në çdo diskutim, për çdo projektligj e për çdo nismë të qeverisë së sotme. “Rilindja shqiptare” ose rrënim i mëtejshëm; punësim real ose rritje e papunësisë; taksim i ndershëm ose taksë e sheshtë; shërbime publike posaçërisht në arsim e shëndetësi, por në tërësi sipas nevojave ose sipas mundësisë për të paguar; mbështetje biznesit ose shfrytëzim i biznesit; zhvillim modern rural ose braktisje e mëtejshme e fshatit në gjendjen e vet mesjetare”.

Vendimi i gjykatës

“Gjykimi i një krimi shtetëror me pasojë vrasjen e 26 qytetarëve në një farsë ku nuk flitet për vrasje, por për dëmtim prone e për pakujdesi teknike, goditi drejtësinë.”

Strategjia e PS-së

“Duhet të komunikojmë intensivisht përditë e më shumë në të gjitha hapësirat publike me shqiptarët për t’ua bërë të qartë rrugën ku ne dëshirojmë që të hyjë Shqipëria.”

Neni 73

Kushtetuta përcakton pozicionin e deputetit përballë ligjit:

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste prokurori i përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni Kuvendi vendos me votim të fshehtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›