E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis shpërndarja e vaksinës antigrip në farmacitë e kryeqytetit



Nis shpërndarja e vaksinës antigrip në të gjitha farmacitë e kryeqytetit. Qytetarët kanë mundësi të bëjnë blerjen e dozave për të shmangur virusin e gripit. Farmacistet pohojnë se dozat e vaksinës janë shpërndarë që prej tri ditësh dhe pothuajse kanë përfunduar. Qytetarët kanë qenë të interesuar për blerjen e dozave para se farmacitë të bënin furnizimin. Një nga farmacistet në kryeqytet pohon se ka bërë blerjen e 100 dozave të vaksinës antigrip dhe 70 prej tyre janë shitur menjëherë sapo kanë mbërritur në farmaci, ndërsa pjesa e tjetër janë të porositura. Interesimi i qytetarëve për blerjen e vaksinës, vjen pas deklaratës që kanë bërë specialistët e ISHP-së për marrjen e vaksinës në vjeshtë, pasi marrja me vonesë nuk ka efekt. Vitin e kaluar ka pasur një fluks të madh të përhapjes së virozave gripale, pasi qytetarët nuk blenë në kohë vaksinën si dhe mungesa e saj në farmacitë e vendit. Depot farmaceutike e kanë blerë vaksinën antigrip nga Franca dhe Anglia. Çmimet e tyre janë 12 dhe 13 mijë lekë, përkatësisht për vaksinën e ardhur nga Anglia dhe 13 mijë lekë për vaksinën e blerë në Francë. Farmacistet pohojnë se pavarësisht çmimit nuk ka pasur asnjë hezitim për blerjen e tyre nga qytetarët. Madje, ata kanë blerë doza për të gjithë familjarët. Specialistët e ISHP-së, sqarojnë se ftohja e menjëhershme e motit pritet të shtojë numrin e të prekurve nga virusi i gripit. Ndërkohë që pritet që spitalet të kenë fluks pacientësh, i cili do të vijë në rritje. Numrin më të madh të të prekurve e përbëjnë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Pavijoni i Pediatrisë është spitali më i tejmbushur gjatë gjithë sezonit dimëror. Për parandalimin e përhapjes së virusit të gjithë qytetarët duhet t’u drejtohen farmacive për të bërë blerjen e dozave të vaksinave antigrip. Kjo do të jetë mënyra e vetme për përballimin e situatës së gripit gjatë sezonit të ftohtë dimëror. Vitin e kaluar situata nëpër spitalet e vendit ishte tepër alarmante për shkak të mungesës së vaksinës antigrip në farmaci dhe mosinjektimin në kohë.
E. Sako

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›