E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e pjesshme, trashëgimtarët e të përndjekurve rrezikojnë të paguajnë tarifë shkollimi

Jonida Tashi

Trashëgimtarët e ish të përndjekurve politikë, që vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme rrezikojnë që këtë vit të paguajnë tarifë studimi. Nuk bëhet fjalë vetëm për studentët që do t’i nisin këtë vit këto studime, por edhe për ata që u përkasin viteve më të lartë të studimit. Ndonëse në vitet e mëparshme, kjo kategori studentësh ka qenë e përjashtuar nga pagesa e tarifës së studimit, në vendimin e qeverisë për kuotat dhe tarifat e shkollimit për studimet e pjesshme, për vitin akademik 2009-2010, trashëgimtarët e të përndjekurve nuk janë përfshirë në kategoritë që përjashtohen nga tarifa e shkollimit. Konkretisht në vendimin nr.1113, datë 13.11.2009 “Për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe tarifat e shkollimit për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2009-2010”, qeveria ka përcaktuar kategoritë që nuk do të paguajnë taksë shkollimi për studimet e pjesshme, midis të cilave nuk figuron vetëm kategoria e trashëgimtarëve të përndjekurve.
Vendimi
Sipas vendimit të mësipërm të qeverisë, të firmosur edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, do të përjashtohen nga tarifa e shkollimit kandidatët, të cilët fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2009-2010, që u përkasin këtyre shtresave shoqërore, si: të verbrit, të shurdhët, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kryefamiljaret (gratë) me fëmijë, kandidatët që vijnë nga familje, të cilat trajtohen me ndihmë sociale, si dhe fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit. Këtë të drejtë, sipas vendimit të qeverisë, do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore. Ndërsa përsa i përket mënyrës së kryerjes së pagesës së shkollimit, studentët do ta paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve, që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës.
Fakultetet
Ndonëse vendimi i qeverisë i ka përcaktuar qartë kategoritë që do të përjashtohen nga pagesa e tarifës së shkollimit, fakultetet që ofrojnë studime me kohë të pjesshme, deri tani, nuk dinë ende se si duhet t’i përgjigjen interesimit të studentëve që përfitojnë shkollim falas, si pasojë e të qenit trashëgimtar i të përndjekurit. Burime nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës bëjnë të ditur se presin një urdhër nga Ministria e Arsimit, për këtë çështje, pasi nuk janë njoftuar më parë nga asnjë person përgjegjës për këtë ndryshim. Ndërkohë që edhe më të paqartë janë edhe vetë studentët që kanë përfituar studime falas si trashëgimtar i të përndjekurit, të cilët deri më tani nuk i ka sqaruar askush se si do të veprohet me pagesën e tyre të studimit. Nga ana tjetër mësohet se për këtë çështje janë në dijeni edhe përfaqësuesit zyrtarë të Shoqatës së ish të përndjekurve politikë, por as këta të fundit nuk kanë marrë asnjë informacion tjetër, nga sa dinë fakultetet.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›