E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët e vjetër. Rregullat për ruajtjen e rezultateve të provimeve me zgjedhje

Në përllogaritjen e pikëve merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Rezultatet njihen edhe kur nxënësi ka marrë vetëm njërin nga provimet me zgjedhje

Jonida Tashi

Maturantët që i janë nënshtruar provimeve me zgjedhje në vitet e mëparshme mund t’i ruajnë rezultatet e këtyre provimeve. Në rast se maturantët e vjetër duan të ruajnë rezultatet e viteve të shkuara, ata duhet t’i specifikojnë ato me kujdes në formularin A1-Z për njërën ose të dyja lëndët për të konkurruar sërish për shkollat e larta, por pa u përfshirë në provimet me zgjedhje të këtij viti për studimet e larta 2009–2010.
Rregullat
Ministria e Arsimit ka përcaktuar rregullat që duhet të kenë parasysh maturantët para 2009-s për njohjen e rezultateve gjatë Maturës së sivjetshme. Specialistët e Arsimit shpjegojnë se nëse nxënësi kërkon t’i ruhet rezultati i mëparshëm, në përllogaritjen e pikëve për sistemin Meritë-Preferencë, për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Ndërsa në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën. Sipas rregullores së Maturës, për të gjithë nxënësit që në vitet shkollorë 2005-2006, 2006-2007, 2007-2008 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e universiteteve publike, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën).
Plotësimi
Kandidatët që kanë marrë pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2006, 2007, 2008 dhe që duan të mbartin njërën ose të dyja lëndët me zgjedhje, për t’u regjistruar në Maturën 2009 duhet të plotësojnë Formularin A1-Z. Në hapësirat bosh të shënohet emri i lëndës (lëndëve) me zgjedhje që do të mbartet (mbarten) dhe vitin kur është dhënë provim kjo lëndë. Nëse lënda (lëndët) që do të mbartet (mbarten) është dhënë provim më shumë se një herë, atëherë në formular duhet të shënohet viti i fundit kur është dhënë provim kjo lëndë. P.sh., nëse do mbartni lëndën e Fizikës, të cilën e keni dhënë provim dy herë, në MSH 2007 dhe MSH 2008, atëherë në formular duhet të shënoni vitin 2008. Nëse keni mbartur dy lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve të mëparshme, kërkesa nuk plotësohet. Nëse keni mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, atëherë, në listën e lëndëve me zgjedhje, duhet të qarkoni vetëm një lëndë me zgjedhje. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni, në listën e lëndëve me zgjedhje, nuk duhet të jetë gjuhë e huaj. Nëse nuk keni mbartur lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, atëherë duhet të qarkoni dy lëndë me zgjedhje, në listën e lëndëve me zgjedhje. Lëndët që do të qarkoni nuk duhet të jenë të dyja gjuhë e huaj. Për shembull, nuk mund të qarkoni Gjuhë angleze dhe Gjuhë frënge; Gjuhë angleze dhe Gjuhë italiane; Gjuhë frënge dhe Gjuhë italiane.

Drejtoria Arsimore Tiranë shpërndan 5 mijë Formularë A1

Rreth 5 mijë Formularë A1 janë shpërndarë në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit nga Drejtoria Arsimore e Tiranës. Me fillimin e plotësimit të formularëve duhet të jenë gati dhe koeficientët përkatës për secilën nga 14 lëndët me zgjedhje. Sipas rregullores së provimeve të Maturës Shtetërore, afati për dorëzimin e formularit të plotësuar është data 10 mars. Por, duke qenë se plotësimi i këtyre formularëve nuk ka nisur ende, pasi maturantët nuk janë njohur me koeficentet e lëndëve me zgjedhje, pritet që ky proces të shtyhet në kohë.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›