E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis verifikimi i familjeve që kanë përfituar ndihmë sociale



Jonida Tashi

Personat në nevojë që do të përfshihen në strategjinë e përfshirjes sociale, e cila synon uljen e varfërisë, do të
jenë në monitorim të vazhdueshëm. Ministria e Punës, në bashkëpunim me Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj pranë Kryeministrisë dhe me mbështetjen e PNUD-it, nisën dje punën për krijimin e kuadrit monitorues të Strategjisë Ndërsektoriale të Përfshirjes Sociale (SNPS). Kuadri monitorues do të identifikojë aktorët kryesorë, përgjegjësitë respektive të tyre, në zbatimin dhe monitorimin e kësaj strategjie, që do të veprojë deri në vitin 2013. Sipas Ministrisë së Punës, monitorimi i zbatimit të kësaj strategjie do të ndikojë jo vetëm në reduktimin e varfërisë, por do të bëhet edhe një identifikim më i saktë i familjeve dhe individëve në nevojë. Duke marrë shkas nga abuzimet e shumta që janë në skemën e ndihmës ekonomike, ku mjaft familje kanë përfituar përkrahje sociale padrejtësisht, Ministria e Punës në bashkëpunim me PNUD-in kanë vendosur që të identifikojnë në vazhdimësi të dhënat e çdo familje ose individi në nevojë që bën pjesë në strategjinë e përkrahjes sociale.
Strategjia
Strategjia ndërsektoriale e përfshirjes sociale 2007-2013, një dokument që synon planifikimin e politikave sociale për grupet në nevojë dhe përfshirjen e tyre në procesin e zhvillimit, do të zbatohet duke u monitoruar me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuar për Zhvillim, (PNUD). Zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, i pranishëm në mbledhjen e parë të organizuar për këtë qëllim në mjediset e hotel “Rogner” në Tiranë, theksoi se monitorimi i SNPS-së është një proces i rëndësishëm, pasi ajo është dokumenti ndërsektorial bazë i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim. “Si e tillë, SNPS është krijuar mbi bazën e një plani kundër varfërisë dhe përjashtimit social të vendeve të BE-së dhe Shqipërisë si kandidate e ardhshme e saj, do t’i nevojitet të paraqesë një plan të ngjashëm”, - u shpreh më tej Sulka. Të dhënat e të Ministrisë së Punës tregojnë se në vitin 2008 trajtohen me ndihmë ekonomike rreth 93 mijë familje, nga 120 mijë në 2005, një tregues ky se niveli i varfërisë është ulur me 22.5 për qind. Ndërkohë që fondi për ndihmën ekonomike, po sipas të dhënave të Ministrisë së Punës gjatë vitit 2008 u rrit me 34 për qind, nga 2.6 miliardë në 2007 në 3.5 miliardë këtë vit.
Parashikimet
Strategjia e Përfshirjes Sociale është një komponent i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim. Ajo fokusohet në varfërinë dhe përjashtimin social, rreziqe që mbeten edhe pas rritjes ekonomike. Duke qenë një strategji ndërsektoriale, ajo është në përputhje të plotë me strategjitë sektoriale dhe në veçanti me politikat dhe strukturat institucionale të përshkruara në këto strategji, të cilat kanë synim të ndihmojnë personat vulnerabël, familjet dhe grupet në komunitet, që këta të mund të veprojnë në mënyrë të pavarur, të mund të sigurojnë të ardhura dhe të kenë të njëjtat të drejta si dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Deri në vitin 2009 parashikohet që numri i familjeve në varfëri absolute, do të reduktohet me 50 për qind dhe nuk do të ketë familje që jetojnë në varfëri ekstreme.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›