E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: “Jemi të gatshëm t’i arrestojmë shqiptarët që janë dënuar nga gjykatat italiane”



Tiranë - Ministri i Drejtësisë është shprehur dje se shteti ynë është i gatshëm të ekzekutojë vendimet e gjykatave italiane për shqiptarët. Premtimi i Alibeajt u bë dje gjatë takimit me nënsekretarin e Brendshëm italian, z. Alfredo Mantovan, i shoqëruar nga ambasadori italian Saba D’Elia, z. Antonio Laudati, drejtor i Përgjithshëm i Drejtësisë Penale pranë Ministrisë se Drejtësisë dhe autoritete të tjera të Drejtësisë.
Biseda mes dy personalitete u përqendrua rreth marrëdhënieve midis dy vendeve tona në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, ekzekutimit të vendimeve të gjykatave italiane për shtetasit shqiptarë që i kanë shpëtuar drejtësisë italiane, rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogave në kuadër të bashkëpunimit dhe të krijimit të njësive të përbashkëta hetimore. Nga ana e tij ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, garantoi “maksimumin e zellshmërisë të shtetit shqiptar, strukturat e tij, qoftë ato qeveritare, qoftë ato të pavarura, do të ndërmarrin për të krijuar dhe për të dhënë jo vetëm imazhin e partnerit të denjë në këto marrëdhënie, por edhe të krijimit të një marrëdhënieje që do të vazhdojë gjatë në kohë, që do të jetë gjithmonë edhe më e perfeksionuar për t’i dhënë jo vetëm imazhin, por edhe sinjalin e qartë fenomenit kriminal që në mes dy vendeve tona ka vetëm një kufi, i cili është thjesht dhe vetëm formal dhe që nuk do të gjejnë asnjë mundësi për t’i shpëtuar drejtësisë, si asaj italiane, por dhe asaj shqiptare”. Në këtë takim u diskutua edhe në lidhje me angazhimet që shtetit shqiptar do të marrë kundrejt shtetit italian për transferimin e të dënuarve shqiptarë në institucionet e vuajtjes së dënimit në Itali. “Mora premtimin e sinqertë dhe besimin për një bashkëpunim jo vetëm në këtë fushë, por edhe në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore në lidhje me sistemin e burgjeve, të cilat do të jepen nga shteti italian dhe mora jo pa kënaqësi inkurajimin e qartë të një vendi mik, inkurajimin për të vazhduar në luftën kundër kriminalitetit në mënyrë të përbashkët dhe për ta çuar këtë vend drejt standardeve ndërkombëtare”, - deklaroi ministri i Drejtësisë në një konferencë për shtyp menjëherë pas takimit.

Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë për ripranimin e personave me qëndrim të padëshiruar

TIRANË - Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe nënsekretari i Ministrisë së Brendshme të Italisë, Alfredo Mantovani, nënshkruan të premten, në ambientet e Ministrisë së Brendshme, protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar. Kjo marrëveshje e rëndësishme, e cila konsiston në rikthimin e të gjithë personave me qëndrim të padëshiruar dhe në lehtësimin e marrjes së vizave mes këtyre dy vendeve, mbështetet në marrëveshjen përkatëse mes dy vendeve dhe në Marrëveshjen për “Ripranimin e Personave me Qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian, nënshkruar në Luksemburg më 14 prill 2005. Pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshje, Mantovano vlerësoi sukseset e strukturave të zbatimit të ligjit në Shqipëri në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale, duke theksuar se” në këtë drejtim Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe ka rezultate të dukshme e konkrete”. Ai shtoi më tej se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është dëshmi e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve. Nga ana e tij, zv/ministri i Brendshëm. Strazimiri tha se vlerësoj të suksesshëm bashkëpunimin e strukturave italiane dhe shqiptare si dhe theksoi qëndrimin e pandryshueshëm për tolerancë zero ndaj veprimtarive kriminale për të mos lënë asnjë skutë të sigurt në të dy anët e Adriatikut për elementët kriminalë, qofshin shqiptarë apo italianë.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›