E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon seanca për bandën e Lushnjës, mungonte avokati



TIRANË - Ka dështuar të premten në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca në ngarkim të të pandehurve të bandës së Lushnjës, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale mes tyre vrasje të ndodhura vite më parë në qytetin Lagunar. Shkak për këtë është bërë mungesa e njërit prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve të këtij procesi. Në këto kushte, Gjykata caktoi të premten e ardhshme ditën për zhvillimin e seancës së radhës. Të pandehur në këtë proces janë 7 persona të akuzuar për disa episode kriminale para disa vitesh në Lushnjë. Mes tyre ndodhet i akuzuar edhe Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, i cili akuzohet si drejtues i kësaj ish-bande kriminale, që po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij në vendin tonë.

Ishte i dehur, përplaset me makinë, arrestohet për armëmbajtje pa leje

Tiranë - Përplaset me murin rrethues të Korpusit Universitar, arrestohet për armë pa leje. Policia e Tiranës tha dje pasdite se është kryer arrestimi në flagrancë i Fatmir Garunjas, 39 vjeç, nga Sauku, Tiranë. Prangosja e tij është bërë pasi në sheshin “Nënë Tereza”, Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me targa të huaja dhe në gjendje të dehur, është përplasur me murin rrethues të Korpusit të Universitet Politeknik të Tiranës. Gjatë dhënies së ndihmës nga shërbimet policore atij ju gjend dhe ju sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë pistoletë tip “Beret”, të cilën e posedonte pa leje. Dosja për këtë ngjarje i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

Donte të kalonte klandestinë në Greqi, arrestohet

Gjirokastër - Në tentativë për të kaluar në tokën greke 3 klandestinë, arrestohet në flagrancë. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga policia e Gjirokastrës, e cila njofton se ka vënë në pranga një 21-vjeçar, në akuzën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Gjirokastër arrestuan Besmir Kamajn, i datëlindjes 1987, lindur dhe banues në Ballsh të Mallakastrës, thanë burimet policore. I ndaluari është kapur në flagrancë nga shërbimet e Postës së Policisë Dropull, në aksin rrugor Gjirokastër-Jorgucat duke ndihmuar 3 shtetas nga rrethi i Fierit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit prej 700 euro për person. Këta shtetas janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër dhe pas një pune hetimore është dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe vënia e autorit para përgjegjësisë penale. Dosja me materialet në ngarkim të Kamajt, i kanë kaluar prokurorisë së rrethit, për hetime të mëtejshme.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›