E Diel, 1 Nëntor 2026

U merrte lekë pacientëve të burgosur, pranga shefit të Klinikës së Burgut

Operacioni “Standardi i garantuar” çoi në arrestimin e 38-vjeçarit Ardian Nelaj. Të afërmit e pacientëve që kanë denoncuar për paratë që u kërkonte mjeku

Laureta Rryçi

Tiranë - Policia arreston mjekun kirurg për korrupsion. Ardian Nelaj, 38-vjeçari që kishte vite në detyrën e shefit të Klinikës së Spitalit të Burgut, dje është tradhtuar nga “viktimat” e tij. Burime policore shpjeguan për gazetën “Albania” se kanë qenë të afërmit e pacientëve që kanë denoncuar për paratë që u kërkonte Nelaj. Të njëjtat burime kanë shpjeguar më tej se mjeku kishte krijuar një terren të përshtatshëm për të përfituar para duke qenë se ishte dhe mjek kirurg në Spitalin Nr. 2 në QSUT. Pas arrestimit të tij mësohet se është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku pritet të merret në pyetje nga prokuroria që ka lëshuar dhe fletë arrestin për të. Mësohet se prokuroria po punon për të zbardhur rastet ku mendohet se mjeku ka marrë ryshfet për të dënuarit që janë trajtuar si të sëmurë në Spitalin e Burgut.
Arrestimi
Në kuadër të operacionit policor “Standardi i garantuar”, operacion i cili u finalizua nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Sektorin Kundër Krimit Financiar pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, vendosën në pranga 38-vjeçarin Ardian Nelaj. Në ngarkim të tij, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte nisur procedimet penale, sepse dyshohej për konsumim të veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, vepër e cila parashikohet në nenin 259 të Kodit Penal. Falë metodave speciale të hetimit, u konkludua se shtetasi Ardian Nelaj, me profesion mjek - kirurg, me detyrë shefi i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, dyshohet se përfitonte para, duke u kërkuar pacientëve të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, operacione të cilat i zhvillonte në sallën e Urgjencës së Spitalit Nr. 2 Tiranë.
Paratë
Në sajë të grumbullimit të saktë të informacioneve operative rezultoi se shtetasi i lartpërmendur u kërkonte ryshfet të afërmve të pacienteve, shumë e cila varionte prej 20 000 lekësh për një operacion. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale u mundësua sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumave të parave prej 545 000 lekësh, 760 euro dhe 100 dollarë. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për hetime të mëtejshme.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›