MSH, gati studimin për sëmundjet që “vrasin” foshnjat
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë u rikthehet kërkimeve shkencore dhe studimeve të sëmundshmërisë së popullatës pas shumë viteve ndërprerje. Në qendër të vëmendjes është vendosur nisja e një studimi për të verifikuar rastet e vdekjes së foshnjave, si dhe sëmundjet specifike te gratë dhe burrat në të gjithë vendin. Vdekshmëria foshnjore në vendin tonë është në raportet 18 vdekje për 1 mijë lindje, e cila konsiderohet tepër e lartë nga norma e përcaktuar nga BE-ja. Pikërisht për këtë rast, si dhe duke marrë parasysh dhe mjaft sëmundje të tjera, lind nevoja e një studimi për të përcaktuar shkaqet dhe shifrat e prekjes nga sëmundjet. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, mori pjesë dje në promovimin e Studimit Demografik Shëndetësor. Në këtë studim do të marrin pjesë 100 specialistë të stafit shëndetësor, ku do të studiohen mijëra raste të personave të ndryshëm të popullsisë. Ministria e Shëndetësisë ka rolin drejtues dhe mbikëqyrës në këtë proces, ndërkohë që agjencitë zbatuese do të jenë INSTAT-i dhe ISHP-ja. Ky studim mbështetet financiarisht nga USAID-i, UNICEF-i, UNFPA dhe Kooperacioni Zviceran. Ndërsa vlera e këtij studimi të rëndësishëm parashikohet të jetë rreth 1.7 milion dollarë.
Studimi
Ky studim bëhet për herë të parë pas shumë vitesh ndërprerje.
Në të pritet të marrin pjesë 8 mijë femra të moshës 15-49 vjeç dhe 4500 meshkuj të po kësaj moshe në të gjithë vendin. Pjesë e rëndësishme e këtij studimi do të jenë edhe fëmijët deri në moshën 6 vjeç, për të cilët janë përzgjedhur familjet që kanë pranuar të marrin pjesë. Periudha e zbatimit të studimit do të jetë viti 2008 deri në fund të vitit 2009. Tashmë është përcaktuar numri i stafit mjekësor që do të marrë pjesë për zbatimin e këtij studimi, ku do të angazhohen rreth 100 persona.
Një studim i tillë konsiderohet i domosdoshëm, për të pasur evidenca të bazuara shkencërisht, me qellim orientimin e duhur të politikave dhe vendimmarrjeve të përshtatshme.
Rastet
Studimi do të bëhet për të përcaktuar se përse ndodhin rastet e fertilitetit, vdekshmërisë foshnjore për moshat nën 5 vjeç, përdorimi i metodave kontraceptive, mbulesa vaksinale, kujdesi për gruan shtatzëne dhe fëmijët, ushqyerja me gji, sëmundjet seksualisht të transmetueshme tek të gjithë njerëzit etj. Me ndryshimin e mënyrës së jetesës, ushqyerjes dhe faktorëve të tjerë kanë ndryshuar edhe gama e sëmundshmërisë në të gjithë vendin dhe tek të gjitha moshat. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar edhe për ngritjen e një sistemi informacioni të integruar në të gjitha nivelet e shërbimit, e cila do të shërbejë për t’u njohur dhe verifikuar të gjitha rastet sipas sëmundjeve nga të cilat preken më shumë pacientët. Specialistët theksuan se është e nevojshme që këto studime të realizohen periodikisht çdo 5 vjet.
Urdhri i Mjekut: ”Pakënaqësia e pacientëve vjen nga mungesat në spitale”
Pakënaqësia e pacientëve vjen si rezultat i mungesave të thella në të gjithë spitalet e vendit. Rastet janë evidentuar në të gjitha spitalet e vendit. Për këtë çështje, kryetari i Urdhrit të Mjekut shqiptar, Dine Abazaj, ka kërkuar që të bëhet reformimi i thellë i sistemit shëndetësor me reforma të studiuara dhe të hartuara me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Gjithçka është bërë e ditur gjatë prezantimit të raportit “Kriza e besimit dhe dhuna kundër mjekëve” e organizuar nga Urdhri Kombëtar i Mjekëve të Shqipërisë. Më këtë takim janë theksuar mungesat që kanë spitalet sot, qoftë në medikamente, aparatura, mungesat e analizave laboratorike, mungesa e ujit, energjisë elektrike, apo mungesa e mjekëve specialistë. Abazaj u shpreh se e rëndësishme është që të bëhet fuqizimi i sigurimeve shëndetësore dhe përfshirja në këtë skemë të të gjitha shërbimeve të sistemit. Gjithashtu, ai përmendi dhe përmirësimin dhe plotësimin e boshllëqeve që ekzistojnë në infrastrukturën ligjore dhe në të gjitha sferat e shërbimeve shëndetësore, si dhe krijimin e një sistemi efektiv për formimin profesional pasuniversitar të punonjësve të shëndetësisë, nëpërmjet insitucionalizimit të Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor, të detyrueshëm. Sipas tij, mjekët duhet të rifitojnë respektin e qytetarëve, duke u dhënë atyre respekt dhe përkujdesje dinjitoze. Urdhri i Mjekut të Shqipërisë është pranuar anëtar me të drejta të plota në Shoqatën Botërore të Mjekësisë në Asamblenë e Përgjithshme, që u mbajt ditët e fundit në Seul të Koresë.
1 Nentor 2008