Surpriza pa fund në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”
E shtuna e datës 25 tetor 2008 solli në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus një dinamikë ngjarjesh dhe historish, të cilat përcollën te shikuesit mesazhin e solidaritetit njerëzor. Historia e parë i përkiste një djali fierak, i cili i kishte humbur kontaktet me familjen më 7 mars të vitit 1996. Fillimisht Robert Isaj largohet drejt Greqisë në vitin 1993. Tentativat e tij për të punuar në këtë shtet zgjatën deri në vitin 1995 për mungesë dokumentesh. Pas qëndrimit 1-vjeçar në familje, Roberti provon sërish fatin e tij, por këtë herë drejt Italisë. Përveç Italisë, Londra mbetej një nga “ëndrrat në sirtar” të Robertit. Një vit pas ndërprerjes së kontakteve në familje vjen lajmi se një fqinj i tyre, Gëzim Driza, e kishte takuar Robertin në vitin 1997 në zonën numër 1 të Londrës, në Viktoria. Më tej Gëzimi kishte mësuar se Roberti kishte kërkuar strehim dhe ishte regjistruar në Londër si kosovar. Gjatë takimeve me të ai e kishte njoftuar Robertin se e kërkonte familja, por në të vërtetë djali nuk kontaktoi asnjëherë me familjen e tij. Kërkimet e gazetarëve të “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” kanë vazhduar edhe nëpërmjet korrespondentëve në terrenin londinez. Nga dëshmitë e disa emigrantëve stafi ka arritur të zbulojë se Roberti mund të vuajë dënimin e tij që prej vitit 2000 në një nga burgjeve e Anglisë, informacion i cili është ende në proces verifikimi.
Historia e dytë kishte në qendër të saj një djalë 8-vjeçar të quajtur Mario Prenga. Mario vuante që prej 1 viti e gjysmë nga sëmundja e kancerit në shtyllën kurrizore. Që prej muajit janar të vitit 2008 djali kishte realizuar 6 cikle kimioterapi dhe ishte në pritje për të realizuar të shtatin, i cili ishte vonuar për mungesë parash. Të gjashta ciklet ishin realizuar me borxhe dhe familja nuk kishte shlyer as 1/3 e tyre, ndërkohë që kushtet në të cilat jetonte ajo ishin të mjerueshme. Trokitja e kësaj familjeje në programin social në Vizion Plus i referohej një ndihme sado të vogël nga ana e çdokujt për t`i dhënë mundësinë Marios që të realizonte ciklin e shtatë e në vazhdim. Dhe ajo ndihmë nuk u kursye! Rudina Magjistari kishte përgatitur për 8-vjeçarin një surprizë. Në një lidhje direkte me ministren e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, kjo e fundit i ofroi djalit gatishmërinë e saj maksimale dhe sigurimin e kushteve të realizimit të kimioterapisë për kurimin e djalit.
Dhe surprizat nuk mbaronin këtu! Falë z. Hazis Gashi, president i Kompanisë së Ndërtimit “Dranova” me qendër në Durrës, u sigurua një shumë parash prej 5 milion lekësh të vjetër në mënyrë që familja t`i përdorte për lehtësimin e gjendjes ekonomike. Nga programi i saj, Rudina Magjistari i dhuroi Marios një biçikletë, dëshira e tij më e madhe, dhe dhurata të tjera për vëllezërit dhe motrat e tij.
Nata e dytë vijoi më tej me historinë e Gazi Çibukut, zanafilla e së cilës datonte para 42 vitesh. Në vitin 1966 Gazi arratiset nga Shqipëria dhe deri në vitin 1990 ai nuk shfaq asnjë shenjë jete të tij. Pikërisht në këtë vit ai i dërgon familjes një letër në të cilën shkruante se ishte shëndoshë e mirë, por ndodhej në burg në kontinentin amerikan. Përgjatë 16 viteve të korrespondencës me familjen, Gazi nuk i shpjegoi kurrë kësaj të fundit arsyen e burgosjes së tij. Në qershor të vitit 2006 ata morën letrën e fundit prej Gazit. Të gjendur nën ankth, familja vendosi të kërkojë ndihmën e emisionit “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus për të marrë një përgjigje rreth ekzistencës së Gazit. Kontaktet e para filluan me korrespondenten e emisionit në Miçigan, Valbona Babaj, e cila tregoi gatishmërinë e saj për të verifikuar kodin që ka çdo i burgosur dhe për të zbuluar me anë të tij faqen e internetit në të cilën afishohen të dhënat e të burgosurit në fjalë. Dhe nuk do të kalonte shumë kohë, por brenda disa orësh u arrit që të sigurohej kodi dhe drejtpërsëdrejti në emision nipi i Gazit mori vesh pas 42 vitesh arsyen e burgosjes së xhaxhait të tij. Në bazë të të dhënave Gazi kishte kryer një vrasje në vitin 1970 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1972. Përbri të dhënave ishte dhe fotoja e tij e realizuar në vitin 2005. Rubrika “Faleminderit” solli në vëmendje dy histori interesante. Njëra i referohej një familjeje kosovare, e cila nëpërmjet një videoje të shfaqur në program i kishte shprehur familjes Kapllani nga Çorovoda falënderimet për mundësinë e strehimit në shtëpinë e tyre përgjatë luftës së Kosovës. Ftesa në formën e një zemre, simbol të kësaj rubrike, solli në studio familjen Kapllani, të cilët deri në momentin kur panë videon nuk kishin dijeni për autorësinë e kësaj ftese. Kënaqësia që ata morën ishte maksimale, një gjest fisnik që edhe pse kilometra larg përçoi mesazhin e dy popujve në dejet e të cilëve rrjedh i njëjti gjak, ai i shqiptarit.
Surpriza e dytë iu përgatit ish-drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës, Korçë, Elsa Mitrushi.
Morena Mirdita, një vajzë jetime, e cila kishte kaluar periudhën më të madhe të jetës së saj në këtë shtëpi fëmije dhe nën përkujdesin e vazhdueshëm të Elsës, zgjodhi programin e Rudinës për t`i thënë asaj faleminderit për gjithë kujdesin dhe dashurinë e treguar ndaj saj. Gjatë takimit surprizë me njëra-tjetrën, nostalgjitë dhe kujtimet e moshës karakterizuan momentet e ritakimit të tyre pas shumë vitesh, por tashmë të ndryshuara. Aktualisht Morena punon si rrobaqepëse në profesionin që dikur ia mësoi vetë Elsa, e ndërsa kjo e fundit shijon daljen në pension pas një karriere të gjatë si drejtuese e një shtëpie fëmije. Një palë çentro të realizuara nga dora e vetë Morenës si dhuratë për Elsën shënuan dhe fundin e këtij takimi miqësor.
Për familjen Çerpja nga Tirana, nata e së shtunës do të mbahet mend gjatë. Atë natë ata morën vesh se djali i tyre, i humbur që prej vitit 2005, ishte gjallë dhe u kishte dërguar një mesazh. ”Jam mirë, do t`ju marr vetë në telefon, mos u mërzisni”, - ishte mesazhi i Artan Çerpjës dhënë ekskluzivisht nga Kallamata e Greqisë për Najada Xhepën, një prej gazetareve të “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”, e cila ka investiguar në terren të gjitha detajet që çuan në gjetjen djalit 35-vjeçar. Një udhëtim i gjatë, shumë kërkime dhe një zgjidhje rasti brenda një kohe rekord bënë që nëna e Artanit të mos u besonte syve kur dëgjoi nga djali i saj këtë mesazh në monitor. Malli që nuk e kishte parë djalin në video për 16 vite rresht bëri që nënë Kipja të shpërthente në lot gëzimi dhe hidhërimi për këtë distancë gjeografike të krijuar mes saj dhe Tanushit. Në bazë të informacioneve Artani punonte në një firmë ndërtimi në fshatin Romanu të Kallamatës dhe bashkëjetonte me një shtetase greke. Nata e 25 tetorit u mbyll me premtimin nga vetë Artani se shumë shpejt pasi të pajisej me dokumente ai do të vinte në Shqipëri për të takuar familjen e tij. Edhe nata e sotme do të jetë e mbushur me surpriza, emocione dhe histori pikante, që kërkojnë vëmendjen e gjithsecilit për të shëmbëllyer mirësi e dashuri. Nëse jeni kureshtarë se çfarë do të ndodhë, receta e orës 21:00 në Vizion Plus do të jetë programi social “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”.
1 Nentor 2008