E Diel, 1 Nëntor 2026

“Taksisti 2”, bllokohen 7.3 kg heroinë, një në pranga



Tiranë - Një tjetër operacion i Policisë së Shtetit ka bërë të mundur bllokimin e 7.255 kilogramëve heroinë, ndërkohë që një person ka rënë në pranga. Policia e Shtetit tha dje për gazetën “Albania” se nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Beratit, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Taksisti 2”. Në këtë operacion u arrestua Fatbardh Dulla, 39 vjeç, lindur e banues në Uznovë, Berat, me profesion taksist. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi ditën e djeshme, rreth orës 06:15, te Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë Gjirokastër, gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij, u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 7 kg e 255 gramë. Policia, në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar sasinë e lëndës narkotike automjetin tip “Mercedez Benz” me targë BR 2627 B, shumën prej 300 eurosh dhe 1000 lekësh të rinj, si dhe dy aparate celularë. Fatbardh Dulla akuzohet për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe hetimet janë duke u bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›