Nis zbatimi i programit për vlerësimin e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë
Sot paradite, u zhvillua në mjediset e hotel "Sheraton", përurimi i nisjes së Programit për Vlerësimin e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në këtë ceremoni, në të cilën merrnin pjesë gjithashtu ambasadorja amerikane Marsi Ries, Drejtori i ri i USAID-it për Shqipërinë Edwart Landau, ministra të kabinetit qeveritar si dhe përfaqësues të institucionevëe ndërkombëtare në Shqipëri.
Programi në fjalë do të zbatohet sipas termave të një marrëveshje ndërmjet USAID-it dhe qeverisë së Shqipërisë, të firmosur në prill të këtij viti. Zbatimi i këtij programi do të zgjasë për një periudhë 2 vjeçare.
Kryeministri Berisha duke vlerësuar programin si një etapë të re dhe shumë të rëndësishme në zhvillimin e vendit, në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera u shpreh:
"Është një kënaqësi e madhe për mua që në ceremoninë e sotme të shënojmë një etapë të re shumë të rëndësishme. Së pari luftën kundër korrupsionit, këtij kanceri, çrrënjosja e të cilit përbën një kusht vendimtar për zhvillimin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, projektet që nisin sot janë projekte të një modernizimi të vërtetë të administratës së këtij vendi. Këto janë projekte madhore pwr Shqipërinë, të cilat i japin mundësi vendit, që me transparencë të plotë të realizojnë proceset e prokurimit publik duke nxjerrë në rrezen e diellit të gjitha shpenzimet e parave të taksapaguesve shqiptarë. Nëpërmjet qeverisjes elektronike përmirësohet në mënyrë substanciale administrimi i taksave dhe të ardhurave në tërësi. Rëndësi të jashtëzakonshme ka instituimi në Shqipëri i "One Stop Shop", si praktika më e mirë e kohës për të lehtësuar biznesin, regjistrimin si dhe funksionimin e tij. USAID ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit. Sikundër në dhjetra e dhjetra projekte të tjera që përfshijnë të gjitha fushat e vendit.
Unë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë, drejtuesve vendorë dhe stafit lokal të USAID, qeverisë së SHBA-ve dhe presidentit Bush për kontributin e cmuar të tyre në zhvillimin e Shqipërisë. Fushat janë shumë sensitive dhe shumë shpresëdhënëse. Këto projekte, të cilat ndërrmerren në kuadrin e programit të pragut të sfidës së mijëvjeçarit, janë një detyrim i madh për ne. Jam optimist se së bashku do ti shndërrojmë këto programe ne suksese të vërteta. Dhe se me këto programe ne do të ndryshojmë prokurimet publike, administrimin fiskal si dhe praktikat e regjistrimit të bizneseve.
Edhe një herë ju falenderoj për këtë ndihmë shumë të çmuar. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu edhe për faktin se brenda një kohe të shkurtër, nga koha kur ne nënshkruam marrëveshjen për pragun e mijëvjeçarit, ju bëtë të mundur të nisim punën në programe kaq të çmuara për ne."