Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Ambasadorin Helmuth Lohan
Sot, Kryeministri Berisha mirëpriti Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadorin Helmuth Lohan.
Kryeministri i uroi përzemërsisht zotit Lohan mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e re. Kryeministri vlerësoi kontributin që Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian kanë dhënë gjatë këtyre viteve në përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE, përpjekje të cilat së fundi u kurorëzuan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ambasadori Lohan u shpreh se është shumë i lumtur që po merr këtë detyrë të rëndësishme menjëherë pasi Shqipëria ka bërë hapin e madh të nënshkrimit të MSA-së me Bashkimin Europian. Ai theksoi se është plotësisht i bindur që Shqipëria do të përballojë me sukses të gjitha sfidat që lidhen me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe se do të tregojë një performancë të shkëlqyer në zbatimin e kërkesave të MSA-së dhe marrëveshjes së ndërmjetme.
Në këtë kontekst, zoti Lohan shprehu gadishmërinë e tij për të dhënë ndihmën maksimale si Kryetar i Delegacionit të KE-së në Shqipëri për impelmentimin e plotë dhe të suskesshëm të MSA-së dhe të marrëveshjes së ndërmjetme.
Ne lidhje me ceshtjen e zgjedhjeve lokale, Ambasadori i KE-së u shpreh se "zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen brenda afatit kohor që përcakton Kushtetuta".
Kryeministri Berisha e informoi ambasadorin Lohan mbi situatën politike në vend. Duke iu referuar zgjedhjeve të afërta për pushtetin lokal, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur të realizojë zgjedhje të lira, konform standardeve ndërkombëtare dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar. Në këtë drejtim, zoti Berisha nenvizoi se qeveria mbetet plotësisht e hapur të bashkëpunojë me opozitën për zbatimin e të gjitha rekomndimeve të OSBE/ODIHR.
Më tej, Kryeministri Berisha e informoi ambasadorin Lohan mbi ecurinë e reformave që kërkon procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe zhvillimi ekonomik e social i tij. Zoti Berisha e njohu zotin Luhan me arritjet përsa i përket konsolidimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, forcimit të rendit publik, luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, etj.
Duke u ndalur në reformat në fushën e ekonomisë, Kryeministri theksoi se qeveria po punon me intensitet të lartë për të promovuar klimën më favorizuese për bizneset dhe investimet shqiptare dhe të huaja. Qeveria, vijoi Kryeministri, po punon për një politikë favorizuese fiskale me synimin final taksë të sheshtë më të ultën në Europë. Po ashtu, zoti Berisha bëri të ditur se qeveria është në fazën përfundimtare të përgatitjes së legjislacionit për prokurimet publike dhe koncensionet.
Në këtë kontekst, theksoi Kryeministri, iniciativa "Shqipëria një Euro" paraqet platformën më të fuqishme për promovimin e biznesit e sipërmarrjes së lirë dhe për tërheqjen e invetitorëve të huaj, me synim kthimin e Shqipërisë në vendin më atraktiv për investimet e huaja direkte.
Gjithashtu, Kryeministri e informoi Ambasadorin Lohan se qeveria është plotësisht e angazhuar për përfundimin me sukses të reformës së pronësisë, e cila bazohet në 2 shtylla kryesore, dhënien fund të ekstralegalitetit dhe informalitetit dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Të dy palët shprehën vendosmërinë të punojnë së bashku për implentimin e MSA-së dhe integrimin sa më shpejtë të vendit në BE.