E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit në NATO

Sot pasdite, në selinë e Kryeministrisë, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror për integrimin në NATO, në të cilën u shqyrtua dhe u miratua Dokumenti për Ciklin e 8-të të Planit të Veprimit për anëtarësim në NATO.

Në filllim të mbledhjes Kryeministri Berisha bëri këto komente:

"Sot kemi mbledhur Komitetin Ndërministror të Integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut për të miratuar ciklin e 8-të të Planit të veprimit për anëtarësim. Në programin vjetor kombëtar të veprimit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO pasqyrohet progresi i rëndësishëm i Shqipërisë në drejtim të plotësimit të standardeve për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, sikundër përcaktohen objektivat më të rëndësishme, përmbushja me sukses e të cilave do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendit në këtë aleancë.

Dokumenti i Ciklit të 8-të është dokumenti më i rëndësishëm i miratuar deri më sot në kuadrin e Planit të Veprimit për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky dokument është tërësisht i bazuar në programin, zotimet e qeverisë shqiptare dhe përcakton prioritetet më kryesore të punës së institucioneve të përfshira në këtë proces integrimi, intensifikimin e punës së tyre dhe konsolidimin e shtetit ligjor, si kushti më themelor për të patur sukses në reformat që afrojnë Shqipërinë me NATO-n.

Plani pasqyron gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për çmontimin e sistemit të trashëguar kleptokratik, arritjet si dhe luftën me zero tolerancë kundër krimit të ogranizuar, trafiqeve ilegale, pastrimit të parave, konsolidimin e ekonomisë së tregut, duke e çliruar sipërmarrjen private nga pesha e procedurave burokratike, krijimin e një klime miqësore e të favorshme për biznesin, reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe përmirësimin e legjislacionit në të gjitha fushat, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, si dhe vazhdimin e politikave miqësore, paqësore në rajon, duke u shnderruar në një faktor i rëndësishëm i paqes, sigurimit, bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.

Dukumenti i Planit të Veprimit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është realisht një hartë rruge për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Ky dokument, që do ta quaja dokumentin e angazhimeve tona ambicioze dhe serioze, si dhe i arritjeve tona, i dorëzohet Aleancës së Atlantikut të Veriut me shpresën reale se në Samitin e Rigës, Shqipëria, edhe në kuadrin e Kartës Adriatik 3, do të shënohet si një nga vendet që në Samitin e parë të zgjerimit të NATO-s do të meritojë dhe do të ketë ftesën për anëtarësimin e plotë në këtë Aleancë.

Ne kemi deklaruar se jemi të vendosur të ndërmarrim çdo reformë, të paguajmë çdo çmim i cili afron, bën të mundur ftesën e Shqipërisë në NATO dhe anëtarësimin e plotë të vendit tonë si e ardhmja më e sigurt, më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Unë ju ftoj që me sugjerimet tuaja ta plotësojmë këtë projekt plan dhe ta përcjellim në selinë e NATO-s me besimin e plotë se ky është plani i veprimit me ambicioz që Shqipëria ka paraqitur para Aleancës, si udhërrëfyesin e saj drejt integrimit të plotë në NATO."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›