E Diel, 1 Nëntor 2026

Niset në Herat Kontigjenti i 6-të Paqeruajtës

Shqipëria nisi dje drejt Heratit Kontigjentin e 6-të Paqeruajtës. Në Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr u zhvillua ceremonia e përcjelljes së Kontigjentit të 6-të Paqeruajtës, që do të kryejë misionin e radhës në Herat të Afganistanit. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në fjalën e tij ka përshëndetur trupat pjesëmarrëse, duke shprehur bindjen se ky mision do të jetë pjesë e sukseseve të Forcave të Armatosura Shqiptare, në misionet paqeruajtëse kudo në botë. “Natyrisht është nder, por edhe përgjegjësi e madhe për ju, sepse do të përfaqësoni një vend anëtar të NATO-s, mbi të gjitha vlerat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky fakt. Ju po shkoni në mision në një kohë kur Forcat e Armatosura janë angazhuar fuqimisht për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në ultësirën veriperëndimore të vendit”, - u shpreh z. Imami. Në këtë kontekst, ai u ka drejtuar një falënderim të veçantë të gjithë ushtarakëve, të cilët i janë përgjigjur me një gatishmëri maksimale situatës së pazakontë në Shkodër e Lezhë, duke demonstruar kështu se janë forcë profesionale, e denjë përkrah vendeve të NATO-s. Ky kontigjent do të zëvendësojë Kontigjentin e 5-të dhe do të vazhdojë të kryejë misionin e tij në bazën ushtarake të Heratit, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s, nën drejtimin e komandës italiane. Misioni do të zgjasë gjashtë muaj, i përqendruar në detyra të tilla, si: ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurimin e bazës ushtarake në Herat, të personelit të saj, infrastrukturës dhe pajisjeve të tjera të kësaj baze të rëndësishme ushtarake, si dhe detyra të tjera në interes të këtij operacioni paqeruajtës ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›