E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petro Koçi: Unioni i ri socialist për të përjashtuarit nga PS-ja

Shumë socialistë, ish-funksionarë dhe ish-deputetë e anëtarë të thjeshtë që nuk e gjejnë më veten tek PS-ja aktuale, pritet t’i bashkohen Unionit Socialist për Demokraci që e ka iniciuar Petro Koçi. Ai bën të ditur në një njoftim për shtyp se “PSV po punon për krijimin e Unionit Socialist për Demokraci, ku do të integrohen parti dhe faktorë të përjashtuar me dhunë nga përfaqësimi politik. Besoj se ky union do të dijë të kombinojë luftën për pushtet me sakrificën për demokraci”. Duke sqaruar mënyrën se si mund të funksionojë ky bashkim i socialistëve të pakënaqur, ai shton: “Edhe sindikatat mund të jenë pjesë e këtij projekti politik. Gjithashtu, shpresoj që brenda PS-së të ketë iniciativa reformash dhe lëvizjesh që e shpëtojnë partinë dhe socialistët nga nënshtrimi. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me iniciativat brenda PS që aspirojnë për një parti ndryshe nga PD-ja”. Ndërkaq, Koçi vazhdon të etiketojë si përgjegjës për krizën politike dy liderët aktualë të PD-së e PS-së. "Kushtetuta dhe sistemi zgjedhor nuk lejojnë alternativë ndryshe nga ajo e dy reparteve të komanduara prej interesave të oligarkisë në pushtet. Kjo status quo e sistemit do na mbajë gjatë në krizë. Ndaj, na duhet që e majta të riorganizohet në një alternativë ndryshe nga ajo përtej të majtës që përfaqëson PS-ja e privatizuar dhe ndryshe nga ajo përtej të djathtës e përfaqësuar nga PD-ja e privatizuar”, - shprehet ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›