E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatura e Gërdecit

Zbardhet fatura financiare. Ja si do të përfitojnë banorët nga kompensimi monetar për shtëpitë

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, Ilirian Proko, kompensimi është llogaritur për çdo banesë të dëmtuar. Sipas tij, në skemën e kompensimit do të përfshihen edhe objektet e dëmtuara në Bashkinë e Vorës, fshatrat Marqinet, Gjokë, Marikaj etj. Pra, në këtë mënyrë, pas identifikimit të faturës financiare, banorët e zonët së Gërdecit, por edhe të zonave përreth do të tërheqin lekët, në mënyrë që të rindërtojnë banesat e tyre. Kompensimi sipas llogaritjes së kostove do të shpërndahet në 26 mijë lekë të reja për metër katror. Pra, nëse një banesë është e shkatërruar plotësisht dhe sipërfaqja e saj është 100 metra katrorë, pronari i shtëpisë për ndërtimin e saj do të përfitojë 26 milionë lekë të vjetra. Deri tani, nga dosjet e përpunuara nga Agjencia e Legalizimeve janë identifikuar 3887 objekte me dëmtime, të cilat do të përfshihen në skemën e kompensimit. Nga këto, 409 objekte janë të pabanuara, pra banorët do të përfitojnë 26 mijë lekë të reja kompensim për çdo metër katror. Shuma totale që ata do të tërheqin, do të shërbejë për rindërtimin e banesës. Nga ana e Entit Kombëtar të Banesave, çdo e dhënë është e mirëllogaritur, ku familjarët do të mund të tërheqin nga sot lekët sipas listës emërore që është përgatitur. Por përveç kësaj, nga grupi i punës janë identifikuar edhe 280 objekte të tjera, të cilat kanë dëmtime të lehta. Edhe këto objekte janë përfshirë në skemën e kompensimit, për riparimin e së cilave banorët do të përfitojnë kompensimin në vlera monetare. Po ashtu, nga gjithë objektet e dëmtuara, 375  prej tyre në shkallë të ndryshme janë biznes, 8 janë shkolla dhe 9 janë qendra shëndetësore. Edhe për këto objekte grupet e punës kanë bërë preventivet, në të cilët janë paraqitur për çdo objekt edhe zërat që janë dëmtuar. Ndërkohë, këto dosje do të shpërndahen nga Entit Kombëtar i Banesave me përcaktim të kostos për rindërtim. Sakaq, nga qeveria për rindërtimin e Gërdecit janë vënë në dispozicion 6 miliardë lekë të reja. Por përveç fondit të buxhetit për rindërtimin e Gërdecit, do të vihen në dispozicion shuma të konsiderueshme lekësh që janë mbledhur në numrat e llogarisë së qeverisë pranë bankave të nivelit të dytë. Përveç kësaj, fonde në ndihmë të Gërdecit janë dhënë edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, por që nga Ministria e Financave nuk janë bërë publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›