E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ping-pong shkarkimi përgjegjësish

Fatmir Mediu

Sipas këshilltares së ministrit Fatmir Mediu, detyrën për ruajtjen dhe sigurimin e fabrikës së Gërdecit e kishte Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandat e Forcave.

TIRANË - “Ping-pong” shkarkimi përgjegjësish mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Vetëm 24 orë pasi kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, dha deklarimet e tij për grupin hetimor në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku dhe dëshmoi se kishte vënë në dukje problemet e kontratës mes “Meico”-s dhe firmës amerikane “Southern Ammunition”, nuk vonoi që të vinte edhe përgjigja zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes, Enkelejda Malaj, e cila dha dje një deklaratë për shtyp, foli rreth pretendimeve se Ministria e Mbrojtjes ka shmangur autoritetet ushtarake nga vendimmarrja për demontimin e fishekëve për kontratën e parë, e cila sipas saj ka filluar në muajin qershor 2007 dhe ka përfunduar pa asnjë incident dhe problem në fund të tetorit 2007. Për zbatimin e kësaj kontrate, bëri me dije Malaj, sipas së cilës kushtet e sigurisë parashikoheshin që të bëheshin sipas rregullave të depove të municionit, ishin ngarkuar për zbatimin e tij Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandat e Forcave. Ndërkohë, po në konferencën e djeshme për shtyp, Malaj bëri me dije se pas konsultimeve që janë bërë asaj kohe mes të gjitha palëve, rezultonte se kompania “Southern Ammunition” ka paraqitur dokumentacionin e saj të plotë ligjor për fillimin e një procesi demontimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka prezantuar përpara autoriteteve ushtarake dhe civile në mënyrë filmike teknologjinë që zotëronte për këtë proces. Po sipas këshilltares së ministrit Mediu, me marrjen e propozimit nga ana e kompanisë “Southern Ammunition”, ministri u është adresuar, sipas procedurave, për mendim autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile, duke vënë shënimin për respektim të ligjit dhe negocimin e problemeve me kompaninë. Pas shqyrtimit, autoritetet ushtarake mësohet se kanë përjashtuar me shkrim Bërzhitën dhe kanë propozuar që “qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve”. Pikërisht në këtë pikë mësohet se ministri i Mbrojtjes, bazuar në këtë rekomandim, u ka lënë detyrë autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile të “veprojnë konform rregullave, interesit dhe planit të demontimit”. Në vijim të kësaj, Autoriteti Ushtarak i ka kërkuar drejtorisë përkatëse në Shtabin e Përgjithshëm të ndjekë problematikën në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë deklaratës së djeshme për median, Malaj bëri me dije se pas rekomandimit të autoritetit ushtarak që vendi të përcaktohet me negociata ndërmjet palëve, ato kanë informuar sektorët përgjegjës të ministrisë, se kanë rënë dakord për çmontimin e fishekëve në Gërdec. Pas kësaj, duke marrë pëlqimin paraprak të të gjithë autoriteteve civile dhe ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili mban nr. 138 dhe datën 14.03.2007. Ndërsa në urdhrin që mban nr. 550, i lëshuar në datën 25 prill të vitit të kaluar, janë përcaktuar detyrimet e autoriteteve ushtarake për zhvillimin e procesit në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie. “Madje është cilësuar shprehimisht, që kushtet e sigurisë të bëhen sipas rregullave të depove të municionit, çka identifikon qartë detyrimet e këtyre autoriteteve për të zbatuar rregullat përkatëse”, - tha dje këshilltarja e Mediut, e cila shtoi se, “në pikën 7 të këtij urdhri, ngarkohen për zbatimin e tij Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandat e Forcave”. Ajo, në emër të Mediut, mohoi që ai të kishte pasur dijeni për ndonjë reklamim ndaj këtij urdhri, as për incidente e as për shkelje të rregullave të sigurisë. Ndërsa “si qershi sipër tortës”, këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes, Enkelejda Malaj, shtoi se siç është bërë e njohur për autoritetet shtetërore, pak kohë pas fillimit të këtij projekti, autoritetet më të larta ushtarake kanë kryer një vizitë në zonën e Gërdecit dhe kanë vlerësuar se demontimi i fishekëve po kryhej në kushte teknologjie dhe sigurie të lartë. Ajo nuk sqaroi se kush ishin këta autoritete, të cilët nuk kanë konstatuar dot me sy të lirë kushtet e punës dhe të sigurisë së fabrikës që pak muaj më vonë mbolli vdekjen në fshatin Gërdec.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›