E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Gërdecin vendosi Mediu

Shefi i Shtabit, Luan Hoxha

Shtabi i Përgjithshëm thote se i eshte bindur vendimit te ardhur nga ministri Mediu qe firma amerikane SAC te kryeje çmontim predhash ne repartin ushtarak te Gerdecit

Urdhërin për ndërtimin e fabrikës së Mihal Delijorgjit për çmontimin e municionit luftarak e ka dhënë vetë ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burime të larta ushtarake i thanë mbrëmë rreth mesnatës “Korrierit”se nuk ka pasur asnjë lloj propozimi nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për të përcaktuar Gërdecin si zonë të ndërtimit të fabrikës për çmontimin e municionit, ndërsa bëhet fjalë për kontratën e dytë. “Korrieri” e pyeti burimin e lartë ushtarak se çfarë komenti kishte mbi qëndrimin e ministrisë së Mbrojtjes, se Shtabi i Përgjithshëm kishte propozuar Gërdecin si vend të çmontimit. Burimi në strukturën më të lartë ushtarake të Shqipërisë saktësoi se nuk ka pasur asnjë vendim për Gërdecin apo qoftë sugjerim. “Vendimi për të ndërtuar fabrikën në Gërdec është totalisht i ministrisë së Mbrojtjes, i ministrit të Mbrojtjes. Në vendimin për të ndërtuar fabrikën nuk ka asnjë mendim të Shtabit të Përgjithshëm”-tha zyrtari i lartë ushtarak. I pyetur rishtaz se a kishte përcaktim apo propozim nga Shtabi i Përgjithshëm, burimi përsëriti se “për ndërtimin e fabrikës atje, nuk ka asnjë propozim nga Shtabi i Përgjithshëm, asnjë rekomandim nga Shtabi i Përgjithshëm, as edhe ndonjë copë letër”! Më tej, në bisedë, referuar materialit të paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes, si pjesë e strukturës civile, se Shtabi i Përgjithshëm kishte propozuar Gërdecin, ushtaraku i lartë hodhi poshtë përfshirjen e kësaj strukture në këtë çështje. “Jo, jo jo! Është e dyta, Gërdeci ka qenë i ndërtuar. Është kontrata e dytë”-tha ai. Më saktë, pyetjes nëse Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte dhënë asnjë propozim, për të ndërtuar fabrikën, ushtaraku i lartë u përgjigj (kupto: nuk ka dhënë) “po, për të ndërtuar fabrikën”, referuar kontratës s dytë. Ushtaraku i lartë përsëriti disa herë me radhë se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka bërë asnjë proopozim për ndërtimin e fabrikës nëpërmjet frazave të bisedës “po, ka qenë e ndërtuar si fabrikë, ka qenë e ndërtuar! Atje nuk bëhej më fjalë”, “po, po, po, e ka bërë ministri” dhe “asgjë fare nuk ka bërë për Gërdecin” (referuar propozimit të pretenduar nga ministria e Mbrojtjes se e ka bërë Shtabi i Përgjithshëm). Gjatë pasdites “Korrieri” nuk mori komente pasi kontaktoi me drejtuesit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm, Shefin gjeneral-lejtnant Luan Hoxha dhe zëvendësin e tij gjeneral-brigade Agim Lalaj. Më parë, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, u kishte thënë prokurorëve se kishte paralajmëruar ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, se në kontratën e dytë kishte shkelje. Burimet hetimore një ditë më parë i thanë “Korrierit”, se gjeneral-lejtnant Luan Hoxha u qartësoi hetuesve në zyrën e tij procedurën e kontratës. Ndërkohë, “kompetencat” për të mbikëqyrur procesin kishin kaluar me anë të një urdhëri të ministrit duke autorizuar “Meico”-n, (referuar edhe burimeve mediale) kompanisë amerikane “SAC”. “Meico”, sipas urdhrit, kontraktoi “SAC”-in për mbikëqyrjen e çmontimit, veprim që kishte hequr “autoritetin” kontrollues të Shtabit të Përgjithshëm si strukturë ushtarake, meqenëse ishte tanimë në linjë civile. Gjeneral-lejtnant Hoxha këtë kalim në “patronazh” civil ua kishte pohuar hetuesve. Ndërkaq, në urdhrin e ministrit të dalë në vitin 2007, rreth pranverës, përcaktohej Gërdeci si zonë e veprimtarisë së kompanisë së Mihal Delijorgjit, “Alba Demil”. Komanda e Bashkuar (udhëhiqet nga Gjeneral Major Shpëtim Spahiu), sipas njërës prej pikave të urdhrit, duhet të merrej me anën organizative që përfshin fletë-hyrjet në repart të organikës së palës së kontraktuar, apo fabrikën e çmontimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›