E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, sulme në qytetet Homs dhe Hama

Trupat e Sirisë e kanë vazhduar sërish sulmet e tyre, ku në shënjestër të tyre janë vënë qytetet Homs, Hama, e hapësira të tjera. Raportet e sotme thonë se trupat lojale ndaj presidentit Bashar al-Asad, i kanë intensifikuar sulmet me predha kundër pozicioneve të kryengritësve në Homs.

Për rreth një javë me radhë forcat qeveritare po sulmojnë qendrën e këtij qyteti, me qëllim që të rimarrin kontrollin në zonat që mbahen nga forcat kryengritëse. Në këtë ofensivë raportohet vrasja e qindra njerëzve.

Mësohet se sot ka pasur edhe sulme me predha kundër qytetit Hama, derisa forcat tokësore të regjimit kanë depërtuar në disa hapësira në jug dhe afër kufirit me Libanin.
 

Dhuna e sotme vjen një ditë pasi Komisionarja e lartë për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillej, tha se dështimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndërmarrë aksion në konfliktin në Siri, e ka inkurajuar regjimin e Sirisë, për të ndërmarrë sulm “me të gjitha mjetet” kundër kundërshtarëve të qeverisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›