E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Bojkoti i opozitës dëmton integrimin e vendit

"Mungesa e opozitës në procesin e draftimit të ligjeve për drejtësinë përbën një ngërç të madh", tha ministri Nishani, gjatë seancës së raportimit për çështjet e drejtësisë, organizuar sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e  Shqipërisë. Duke folur për efektet e bojkotit të opozitës ndaj Parlamentit,  ministri  Nishani tha se "një qëndrim i tillë nuk dëmton thjesht proceset kalendarike të ligjeve, por proceset integruese të Shqipërisë". 

Interesimit të Kryetarit të Komisionit, Ilir Rusmali, për bashkëpunimin me opozitën për këtë reformë, ministri Nishani iu përgjigj se "nuk kishte patur sinjale prej saj për këtë proces".   Ministri Nishani bëri të ditur gjithashtu se nga ana e dikasterit që drejton po punohet për hartimin e një ligji të ri për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që do të mundësonte përcaktimin qartësisht të kompetencave të këtij Këshilli si dhe përmirësimin e veprimtarisë së tij.

Lidhur me interesimin e anëtarëve të këtij Komisioni për Gjykatën e Lartë, Nishani tha se  ka ardhur koha për të hartuar një ligj të ri për këtë Gjykatë.  Gjatë kësaj seance ministri Nishani informoi anëtarët e këtij Komisioni për  punën e dikasterit që drejton si për hartimin e ligjeve për organizimin e pushtetit  gjyqësor, investimet në infrastrukturën e gjykatave, regullimin e statusit të gjyqtarit,  çështjet e pronësisë, reformat në sistemin penitenciar, shërbimin e Përmbarimit Privat, etj. 

Gjithashtu ai  tha se po hartohet një strategji afatgjatë për reformën në sistemin e drejtësisë, mbështetur në asistencën e partnerëve ndërkombëtarë .  Ministri i Drejtësisë shprehu vullnetin e Qeverisë për të përmbushur rekomandimet e bëra në Raport- Progresin e Bashkimit Evropian për reformën në drejtësi, duke theksuar nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë me të gjithë aktorët e interesuar për këtë proces.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›