E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha inspekton zonat e përmbytura në Lezhë

Ministri Basha identifikoi si situatë specifike problemin e krijuar me rreth 40 banesa në Shëngjin, Laç, Fushëkuqe etj, të cilat kanë pësuar dëme në shkallë të ndryshme për shkak të përmbytjes.

“Kjo është situata më problematike që paraqitet për momentin jo vetëm në qarkun e Lezhës, por në shkallë vendi. Situata po monitorohet hap pas hapi. Për secilën prej banesave janë inventarizuar dëmet dhe ku ka pasur nevojë për ndihmë të menjëhershme, menjëherë është dhënë ndihma e duhur nga strukturat e emergjencave civile dhe nga pushteti vendor”, theksoi Basha.

Kreu i Ministrisë së Brendshme inspektoi nga afër hidrovorin në Tale dhe funksionimin e kanaleve kullues. Në këtë aspekt Basha u shpreh se hidrovoret furnizohen rregullisht me energji dhe se janë vënë në dispozicion të gjitha mjetet nga pushteti vendor dhe bordi i kullimit për të shmangur përmbytjet. Ministri Basha u bëri një thirrje të veçantë të gjitha strukturave në nivel qarku dhe drejtuesve të pushtetit vendor që të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet për përballimin e çdo situate emergjente.

“Ne jemi në ndjekje të situatës. Shpresoj që në këtë kuadër të gjithë institucionet, por edhe të gjithë faktorët të bashkëpunojnë. Mesazhet e faktorëve politikë duhet të jenë për bashkëpunim. Është koha për të bashkërenduar veprimet me të gjithë kryetarët e njësive vendore pavarësisht ngjyrave politike”, vijoi ai.

Pavarësisht se dëmet e shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit nuk janë të konsiderueshme, Ministri Basha tërhoqi vëmendjen që koordinimi i detyrave të jetë në nivelin e kërkuar për t’i paraprirë emergjencave që mund të krijohen.

“Nuk e cilësoj këtë si gjendje të emergjencës së rënduar, por duhet të jemi syçelur pasi moti vazhdon të jetë me reshje konstante dhe për këtë arsye koordinimi i detyrave si në Lezhë edhe në të gjitha qarqet e tjera është i domosdoshëm për t’i paraprirë situatës,deklaroi Ministri Basha në përfundim të inspektimit në qarkun e Lezhës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›