E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Konferenca Gjyqësore, atribut i kreut të Gjykatës së Lartë

 

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, e cilëson të drejtë mbledhjen e Konferencës Gjyqësore për të zgjedhur anëtarët e KLD-së. “Mbledhja e Konferencës është atribut i Kryetares së Gjykatës së Lartë, që është drejtuesja. Ligji përkatës ka qenë prej kohësh gati, por nuk është çuar në Parlament, pasi Gjykata Kushtetuese kërkon të votohet me 3/5 të votave. Qeveria e ka kryer prej kohësh punën e saj, bllokimi i këtij ligji, mungesa e opozitës apo i ligjeve të tjera, nuk do të thotë se do të bllokojë funksionimin e institucioneve të tjera. Në eksperiencat e tjera, Konferenca është mbledhur nëpërmjet vetëorganizimit. Në këtë aspekt nuk ka arsye se pse Konferenca të mos mblidhet. Askush nuk mund të ndërhyjë në këtë mes, është tërësisht atribut i kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila vendos se kur dhe si duhet të mbledhë Konferencën. Kjo mund të zgjedhë edhe anëtarë të KLD-së, është atribut i Konferencës, askush nuk i ka hequr kompetencat dhe mund t’i përdorë në çdo moment”, tha Nishani në “Ora TV”. Ministri Nishani, duke pranuar problemet në sistemin e drejtësisë, u shpreh se “për 10 prokurorë dhe 5 gjyqtarë janë provuar shkelje të rënda gjatë inspektimeve të kryera”. Nishani theksoi se i është drejtuar me anë të një shkrese Kryeprokurores Ina Rama, duke kërkuar paralajmërim për pezullim nga puna. Të njëjtën masë është kërkuar edhe për 5 gjyqtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›