E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE pranon aplikimin e Shqipërisë, Rehn: PS t’i japë fund bojkotit, rrezikohet integrimi

 

Adi Shkembi

Bashkimi Evropian i hap Shqipërisë rrugën për të nisur procedurat e marrjes së statusit të vendit kandidat. Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ citoi dje një burim nga Brukseli, sipas të cilit vendet e Unionit ranë dje dakord të mbështesin kandidaturën e Shqipërisë. “Ambasadorët e 27 vendeve të BE-së thanë se kandidatura duhet t’i dorëzohet Komisionit Evropian, një hap i madh për kombin e vogël jugor, sipas burimit. Një vendim zyrtar duhet ende të merret nga ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët do të zhvillojnë dy ditë bisedime në Bruksel nga e hëna”, bëri të ditur agjencia e lajmeve. Në mbledhjen e datës 16 nëntor pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i japë OK Komisionit Evropian për të nisur përgatitjen e mendimit për aplikimin e Shqipërisë. Vendimin e ambasadorëve të 27-të vendeve të BE-së e paralajmëroi dje në mesditë edhe komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn, i cili tha se ka ardhur koha për këtë hap nga Brukseli. “Vendet anëtare e kanë diskutuar këtë çështje në COREPER dhe ka një shans të mirë që vendimi teknik për t’i kërkuar Komisionit, që të përgatisë AVIS do të merret nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë, në nëntor. Ka një shans të mirë për këtë dhe unë do ta mirëprisja këtë sepse koha tashmë ka ardhur. Ne do të fillojmë sipas procedurave tona normale të përgatisim Opinionin”, u shpreh Rehn. Shqipëria aplikoi për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian në 28 prill, gjatë presidencës çeke. Megjithëse diplomatët e huaj në Tiranë, por edhe në Bruksel nuk ia rekomandonin qeverisë shqiptare këtë hap, kryeministri Berisha udhëtoi për në Pragë në mesin e krizës ekonomike që kishte kapur vendet e Bashkimit Evropian dhe dorëzoi dosjen e aplikimit. Opozita në vend, megjithëse ishte e para që propozoi përmes kryetarit të saj, Edi Rama që Shqipëria të aplikonte, e vlerësoi këtë hap të qeverisë si propagandë elektorale. Zgjedhjet në Shqipëri, por edhe ato për Parlamentin Evropian ngadalësuan procedurën e aplikimit të Shqipërisë, gjë që çoi në marrjen e një vendimi pas gati 7 muajsh që nga koha e aplikimit. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ishin skeptike nisur nga proceset zgjedhore të mëparshme të zhvilluara në Shqipëri dhe vetëm pasi doli raporti i OSBE/ODIHR-it ku procesi u vlerësua pozitivisht, ato u shprehën parimisht dakord për t’i hapur rrugën e aplikimit Shqipërisë. 

BE: Bojkoti pengon integrimin

ADI SHKEMBI

Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për krizën politike në vend, ndërkohë që opozita duhet t’i japë fund bojkotit të Parlamentit. Kështu u shpreh dje në Bruksel Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oli Rehn gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Ai vlerësoi progresin e bërë në vend përsa i përket reformave politike dhe zgjedhjeve të 28 qershorit, teksa tha se duhen ende përpjekje për të eliminuar disa nga çështjet që u vërejtën në këtë proces elektoral. “Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE. Në emër të forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar zv.kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej opozitës. Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar, që nuk respekton standardet demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda Parlamentit”, u shpreh Rehn. Sipas tij, gjetja e konsensusit politik dhe fundi i bojkotit nga opozita janë të rëndësishme sidomos në këtë periudhë që Bashkimi Evropian pritet t’i japë Komisionit OK, për të filluar punën për përgatitjen e opinionit për aplikimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por i pyetur nëse kriza politike në vend do të ndikojë në shtyrjen e dërgimit të pyetësorit për Shqipërinë, Komisioneri Rehn tha se: “Qëllimi i përgatitjes së opinionit është të vlerësojë, të analizojë nëse një vend është gati për të filluar bisedimet për anëtarësim me BE-në. Dhe për këtë qëllim, vendi duhet të përmbushë kënaqshëm kriterin politik. Natyrisht, nëse bojkoti parlamentar do të vazhdojë më gjatë, ai do të ketë një ndikim negativ në analizat për kriterin politik dhe kështu do të kishte një ndikim negativ në mundësitë për garantimin e statusit të kandidatit nga BE-ja”. Nga ana e tij zv.krye-ministri dhe ministri i Jashtëm, Meta garantoi komisionerin Rehn se Qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, por shtoi se ajo nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjyqësorit. “Qeveria është e përkushtuar të bashkëpunojë me opozitën përgjatë këtij procesi dhe ka përsëritur vazhdimisht vullnetin e saj për këtë çështje, ndaj presim që opozita të marrë përgjegjësitë e saj shumë seriozisht. Qeveria dhe maxhoranca në Parlament e kanë shprehur vullnetin e tyre për bashkëpunim dhe për t’i zgjidhur kërkesat legjitime të opozitës, por pa prekur dhe pa ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e gjykatës”, theksoi Meta.
Reformat
Komisioneri Rehn theksoi në daljen para mediave se implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila hyri në fuqi këtë vit, po njeh progres të vazhdueshëm dhe efikas, megjithëse shtoi se në këtë drejtim mbetet ende për t’u bërë. “Shqipëria duhet të bëjë progres veçanërisht në fushën e rendit dhe sigurisë dhe gjithashtu për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë kuadër e inkurajova z. Meta dhe Qeverinë që të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar këto çështje dhe për të bërë reforma në këto drejtime”, tha Rehn. Ndërsa zv.kryeministri Meta tha se rekomandimet e nxjerra nga progres raporti i këtij viti po merren shumë seriozisht nga Qeveria si një plan veprimi për punën e muajve të ardhshëm. “Ne jemi shumë të fokusuar në forcimin e shtetit ligjor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kohët e fundit Qeveria shqiptare miratoi një plan veprimi për zbatimin e strategjisë për luftën kundër krimit të organizuar dhe ajo që është më e rëndësishme, shumë shpejt do të miratohen edhe ligjet përkatëse. Po kështu ne po rrisim çdo ditë e më shumë kapacitetet tona që lidhen me procesin e integrimit në BE”, theksoi Meta. Një tjetër çështje e prekur ishte edhe ajo e vizave, për të cilën komisioneri Rehn u shpreh se: “Kushtet e mbetura për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, janë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë, janë sigurisht të arritshme. Në rastin e Shqipërisë, nëse Qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera do të punojnë fort dhe do të sigurojnë plotësimin e kërkesave, atëherë Komisioni do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›