E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Gjyqtarët të zgjedhin pa ligj KLD

 

BLEDAR HOTI

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbështet idenë e mbledhjes së Konferencës Gjyqësore dhe në mungesë të ligjit. Vakuumi i krijuar me mosplotësimin me anëtarë të KLD-së ka bërë që Kryeparlamentarja Topalli të zhvillojë një takim të posaçëm me dy anëtarët e KLD-së, Neshat Fana dhe Lefteri Lleshi. Zyra e shtypit njofton se Topalli kërkoi informacione nga dy anëtarët e KLD-së e zgjedhur nga Kuvendi mbi situatën e krijuar. Në këtë takim, Topalli konfirmoi qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së Gjyqësorit. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD. Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta, është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Topalli. Sipas saj, për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton Parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD. “Të drejtat e Gjyqësorit për t’u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD”, thuhet në njoftimin për shtyp. Për vetë numrin një të Kuvendit, Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të Gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e trupës, është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. Ky parim për kryeparlamentaren nuk mund të cenohet nga askush dhe cenimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin “Për konferencën Gjyqësore” pas ankimimit që bëri shoqata e gjyqtarëve. Kushtetuesja kërkoi që një ligj i tillë votohej me një shumicë të cilësuar votash, 3/5 e deputetëve, si dhe të zgjerohej përbërja në këtë konferencë. Mungesa e këtij ligji sjell edhe mos miratimin e Rregullores për funksionimin e Konferencës Gjyqësore, e cila ka të drejtën të zgjedhë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë nga ana e saj po punon në hartimin e një projektligji të ri, por mungesa e opozitës sjell mos miratimin e tij, pasi kërkohet një shumicë e cilësuar votash. Vetë Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë raportimit të tij në komisionin e Ligjeve bëri të ditur se “drafti po hartohej, por mungesa e opozitës sjell mos miratimin e tyre”.

Takimi

Gjyqtarët apel partive për ligjin

Dy ditë më parë, gjyqtarët të mbledhur nën drejtimin e Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, vendosi që në datën 5 dhjetor të diskutojnë në lidhje me Konferencën Gjyqësore. Në një deklaratë për shtyp, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj thuhej se “I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti”. Gjithashtu i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që të hartojnë sa më parë projektligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›