E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim

(E plotësuar) Presidenti shqiptar, Bujar Nishani ka premtuar se gjatë mandatit të tij si President do të angazhohet që Kosova të jetë prioriteti kryesor për shtimin e njohjeve. Ai ka përkrahur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dy vende sovrane për të zgjidhur çështje të caktuara, ndërkohë ka rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë, se çështja e kufijve të Kosovës është çështje e mbyllur.

Presidenti shqiptar këto komente i bëri të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku me rastin e vizitës së tij në Kosovës, është organizuar një seancë solemne.

Presidenti Nishani ka thënë se ish-presidenti Rugova, ishte një nga burrat më të mëdhenj të kombit, “njeriun që politikën paqësore e ktheu në utopi, në një mjet të fuqishëm për artikulimin e aspiratave të një populli për liri”.

Po ashtu ai ka thënë se sot përkulemi me nderim të thellë dhe nderim të madh për komandantin frymëzues, Adem Jashari dhe për të gjithë luftëtarët dhe martirët, që me sakrificën më sublime inspiruan një popull dhe botës i treguan se për liri shqiptarët nuk njohin kufirin.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe kontributin e SHBA-ve, BE-së dhe vendeve aleate të NATO-s, që bazuar në parimet e humanizmit dhe vlerat demokratike, vepruan pa hezitim dhe me forcë për të shpëtuar një popull paqedashës dhe liridashës nga kërcënimi i spastrimit etnik.

Presidenti shqiptar, ka thënë se vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur, certifikoi arritjet e mëdha të Kosovës brenda një periudhe kohore të shkurtër të konsolidimit të demokracisë, bazuar në ekonominë e tregut, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ndërtimin e një shoqërie multi-etnike, dhe shndërrimit nga një kërcënim në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Për më tepër ai ka shtuar se tashmë hapet një kapitull i ri i funksionimit të Republikës së Kosovës, si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur, i cili ka të drejtë legale dhe morale për të kërkuar njohjen nga ato vende që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe meriton të zërë vendin e saj të merituar në familjen evropiane dhe institucionet ndërkombëtare. Ai ka premtuar se gjatë mandatit të tij, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit të tij.

“Angazhohem solemnisht para jush dhe popullit të Kosovës, se gjatë mandatit tim presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nismat dhe forumet rajonale, mbështetjen e saj në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka theksuar Nishani.

Gjithashtu ai ka thënë se virtyti i shqiptarëve ka qenë dialogu, qasja për komunikim. Ai mbetet mjeti më efektiv për zgjidhjen e problemeve mes fqinjëve dhe projektimit të së ardhmes së përbashkët multi-etnike.

Në lidhje me këtë Nishani ka thënë se përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të zgjidhur çështjet praktike, ndërsa çështjen e ndryshimit të kufijve, ai e ka quajtur çështje të mbyllur.

“Bazuar mbi këtë filozofi, Shqipëria mbështet bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, mbështet vijat e kuqe të Qeverisë së Kosovës. Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen qartë, pa ekuivoke, sa më shpejt, me garanci ndërkombëtare, që të sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale e më gjerë. Më lejoni të rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë, se çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje e mbyllur. Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës, në kufijtë e saj aktual të njohur ndërkombëtarisht”, ka deklarua presidenti shqiptar.

Edhe pse shqiptarët janë të ndarë në dy shtete, sipas Nishanit rrugëtimi i tyre është i përbashkët, integrimi evropian.

“Ne shqiptarët, ndonëse të ndarë në dy shtete, kemi një rrugëtim të përbashkët, të vështirë, por vetëm me një alternativë, integrimin evropian. Ne jemi së bashku në një betejë për të fituar kohën. Kosova ka mundësinë të shfrytëzojë eksperincën e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave, përafrimin ligjor me standardet evropiane, komunikimin me institucionet e BE, bashkëpunimin me NATO-në etj”, ka theksuar Nishani.

Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës dhe integrimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë e qytetarëve në Shqipëri, arritjet në procesin e integrimit evropian, fillimi i procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës, janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi, jo vetëm gjatë njëqind viteve të fundit, por në gjithë rrugëtimin mijëra vjeçar të kombit shqiptar.

Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka thënë se pavarësia e Kosovës, pos që është një realitet i pakthyeshëm, Kosova është edhe një faktor i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Këto komente ai i bëri pas takimit që pati me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ndërkohë që të dy presidentë Nishani dhe Jahjaga në një konferencë për media, pas takimi janë shprehur pro dialogut më shtetin e Serbisë, ngase, sipas tyre, është mjeti më i mirë për të zgjidhur problemet që ekzistojnë ndërmjet shteteve.

Presidenti Nishani është shprehur i impresionuar me vizitën e tij të parë në Kosovë si president i Shqipërisë. Ai ka thënë se në takimin me Jahjagen është biseduar për thellimin e bashkëpunimit, në fusha të ndryshme në mes të dy vendeve, sikurse në proceset politike, e po ashtu edhe në proceset tjera me rëndësi për të dyja vendet.

“Në këtë vizitë pata mundësinë të përcjellë përparimet e mëdha të Kosovës dhe të qytetarëve të saj që kanë arritur në këto vite të pavarësisë dhe lirisë së tyre. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane, është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë ai.

Ai, po ashtu, ka përshëndetur punën e institucioneve të Kosovës dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar që Kosova të arrijë në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, duke i hapur rrugë pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të saj.

“Momenti i heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë për Kosovën, është një tjetër moment historik, i cili hap një rrugë të re për Kosovën, për qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit dhe institucioneve të saj. Në zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetit ekonomik. Natyrisht që marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën kanë qenë të njëjta dhe do të mbesin të tilla. Shqipëria e sheh me shumë kënaqësi kontributin e Kosovës në rajonin e Ballkanit si një kontribut, i rëndësishëm dhe i pa zëvendësueshëm në interes të paqes stabiliteti dhe zhvillimit”, ka thënë Nishani.

I pyetur rreth dialogut të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë presidenti shqiptar është shprehur pro dialogut, duke thënë se dialogu është mjeti më efikas, më i suksesshëm dhe më evropian për trajtimin e problemeve që mund të ekzistojnë në mes shteteve të ndryshme. Presidenti Nishani ka shtuar se Shqipëria do të mbështet të gjitha agjendat e institucioneve të Kosovës.

Kurse Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e ka përshëndetur vizitën e homologut të saj, që njëherësh është edhe vizita e tij e parë që nga marrja e postit të Presidentit. Jahjaga me këtë rast ka falënderuar kontributin e shtetit shqiptar në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, si në aspektin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“E çmoj lart dëshirën e Presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në vendin tonë, sepse kjo e ka porosinë dhe simbolikën e vet në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën të parët tanë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm. Patëm një bisedë të frytshme me qëllim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe të gjithanshëm në mes të dy vendeve tona me qëllim të përparimit dhe të zhvillimit të investimeve dhe të daljes së përbashkët në tregjet e drejta”, ka thënë ajo.

Duke folur për vazhdimin e dialogun të Kosovës me Serbinë, Jahjaga ka thënë se në të gjitha proceset dialoguese Kosova asnjëherë nuk ka dal humbëse, por përkundrazi ka dal fituese, andaj sipas presidentes Jahjaga, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdohet, siç është shprehur ajo për tejkalimin e problemeve ndërmjet të dyja vendeve.

“Dua të përsëris se dialogu është e vetmja alternativë me të cilën duhet të normalizohen marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ju e dini që ne kemi qenë dëshmitar të të gjitha aktiviteteve deri më tash, se nuk ka pasur asnjë veprim apo alternativë tjetër e cila ka pasur sukses deri më tani. Ky proces duhet të jetë i suksesshëm dhe duhet të përmbyllet me sukses dhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe në interes të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe në rrugën tonë euroatlantike”, ka thënë ajo

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë pritet të zhvilloj takime të tjera me zyrtarë tjerë të lartë të Kosovës.

Nishani e fillon vizitën në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e fillon sot vizitën e tij dyditëshe në Kosovë, me ç’rast pritet të takohet me zyrtarët më të lartë.

Ai së pari pritet të bisedoj me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e pastaj edhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Parashihet që Nishani do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Muistafa, e personalitete të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›