E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Ligji antiskaf në fuqi, s'do e prishim imazhin

Moratoriumi antiskaf do të jetë në fuqi dhe gjatë këtij sezoni veror. 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Megjithë kërkesat e vazhdueshme të operatorëve turistikë pranë bregdetit dhe kryebashkiakëve të qyteteve bregdetare, ministri i Brendshëm jep përgjigje negative. "Ende nuk janë krijuar kushtet për të shfuqizuar moratoriumin", u shpreh kreu i dikasterit, Bujar Nishani. Ai foli nga Saranda, ku ishte i pranishëm në një takim për decentralizimin e pushtetit vendor, duke pohuar se janë drejt zbardhjes dhe krimet e ndodhura vitet e kaluara në jug. 
Zoti ministër, a mendoni se kjo verë do të sjellë heqjen e ligjit antiskaf, për të cilin ekziston mendimi se e ka kryer misionin e vet?
Për të qenë i hapur me ju dhe me publikun, nuk mendoj se do të ketë heqje të moratoriumit këtë vit. Pse? Natyrisht që ky është një hap që ka ardhur për shkaqe të qarta. Ky ligj nuk ka pasur asnjë qëllim për të penguar apo për të penalizuar gjithë pronarët. Për hir të së vërtetës, në 90% të rasteve trafiku i drogës apo qenieve njerëzore drejt Italisë apo Greqisë, realizohej nëpërmjet këtyre mjeteve. Natyrisht Shqipëria nuk i ka ende ato mundësi të kontrollit të kufirit, nëpërmjet mjeteve të sofistikuara apo teknologjisë së lartë. Nisur nga këto shkaqe, kur imazhi i Shqipërisë ishte dëmtuar maksimalisht nga trafikimi i qenieve njerëzore, nga trafikimi i drogës, drejt vendeve të BE dhe koston e madhe të këtij trafiku, të këtij biznesi, ku përfiton një numër i vogël njerëzish, e kishin shqiptarët e Shqipëria. Për shkak edhe të ngjarjeve të rënda dhe të kolonave të shtypit të huaj ne na është krijuar një imazh, që na është dashur përpjekje të mëdha, disavjeçare për ta ndryshuar.
Tashmë është çelur sezoni turistik dhe ligji antiskaf është cilësuar si faktor negativ për turizmin.
Pretendimet se moratoriumi për skafet do të dëmtojë turizmin, kanë dëshmuar se nuk kanë qenë të tilla. Gjatë dy viteve të fundit turizmi në Shqipëri është rritur në masën 70 %. Sipas statistikave të institucioneve italiane, gjatë vitit 2003-2004-2005, autoritetet italiane kanë arritur të sekuestrojnë në territorin e tyre rreth 3 tonë marijuanë, e cila ishte dërguar nga territori shqiptar, në 90% të rasteve nëpërmjet këtyre gomoneve. Në vitin 2007, sasia e marijuanës ka qenë vetëm 100 kg. Trafiku i qenieve njerëzore ka shkuar në zero. Pra krahas masave të tjera të marra, një ndikim të madh ka dhënë edhe ky moratorium. Ka individë që këtë e quajnë penalizim, por për interesa të mëdha, qoftë të një stabilizimi të kontrollit të territorit, kufirit blu dhe rikonsiderimit e stabilizimit të imazhit të shqiptarëve në sytë e evropianëve, është e rëndësishme edhe marrja e masave të tilla. Ne kemi filluar negociatat për lehtësimin e vizave, reduktimin e trafikut të paligjshëm, pajisja e shqiptarëve me karta identiteti, me pasaporta biometrike brenda vitit 2009, të gjitha këto që shqiptarët të lëvizin në mënyrë të lirë. Ne kemi arritur tashmë të krijojmë një imazh të mirë.
Kryeministri ka premtuar për instalimin e një postë policie në Konispol. A ka masa konkrete nga ana juaj për ta realizuar këtë kërkesë të komunitetit dhe qeverisjes vendore, kur dihet se kjo zonë kufitare shfrytëzohet për trafikun e qenieve njerëzore dhe drogës?
Edhe pse Policia e Shtetit, pjesë përbërëse e Ministrisë së Brendshme ka një strukturë të re, menaxhimin e kufijve e bën nëpërmjet komisariateve. Jemi duke parë dhe studiuar për të shtuar postë policie qoftë në Konispol, por edhe në Ksamil. Kjo duke i dhënë prioritet vendeve që janë pika të kalimit të kufirit. Krijimi i postave të tilla godet trafikun, por krijon edhe lehtësira për qytetarët. Unë them se është e rëndësishme dhe jemi duke e parë me përparësi këtë gjë.
Po në këtë qytet janë shënuar vitet e fundit 4 krime makabre, më e fundit masakrimi i Zihni Myderrizit. Deri tani nuk është gjetur asnjë autor. Keni dijeni për këto raste dhe hetimin që po kryhet?
Çështja e luftës kundër krimit kryesisht krimit të organizuar ku përfshihen ngjarjet e rënda, por edhe ai i trafikut të drogës ka prioritet të madh në punën tonë. Krahas punës së përditshme i kemi kushtuar një rëndësi të madhe zbulimit të ngjarjeve të vjetra. Por natyrisht duke respektuar përsa kohë ato janë në hetim unë do të rezervohem në dhënien e informacioneve konkrete, por e them këtë që disa prej rasteve që ju përmendët janë drejt zbulimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›