E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet pronari i gjysëm kile heroinë, policia i gjen armë


Antidroga e policisë së Tiranës çon në qeli një 35-vjeçar të dyshuar si trafikant dhe shitës droge në Tiranë. Katër ditë pas operacionit të koduar "Qarku i Mbyllur 1" në sajë të së cilit policia arrestoi një 27-vjeçar pasi posedonte gjysmë kile heroinë, është arrestuar një tjetër person i dyshuar si i implikuar në këtë rrjet të trafikut të heroinës. Kështu dy ditë më parë, antidroga e policisë së kryeqytetit çoi në qeli 35-vjeçarin Viktor Spata pasi iu gjetën 100 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.


Burime nga policia thanë se emri i 35-vjeçarit ishte lakuar disa kohë më parë si shpërndarës i dyshuar duke detyruar policinë ta mbajë atë nën vëzhgim me qëllim kapjen e tij në flagrancë. Ndërkohë që pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative oficerët e policisë zunë në "grackë" Spatën i cili posedonte një sasi lënde narkotike. Sipas policisë, ai u kap pranë rrugës së "Elbasanit" në kryeqytet dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet një sasi e lëndës narkotike si dhe një sasi tjetër iu zbulua në banesë. Mësohet se 35-vjeçarit iu gjet dhe një armë zjarri tip-pistoletë të cilën e mbante pa leje.

Ai u shoqërua në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës ku pasi u mor në pyetje iu komunikua masa e arrestit për veprën penale të "armëmbajtjes pa leje" dhe "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Pak ditë më parë, antidroga e policisë së kryeqytetit bëri të mundur kapjen e 27-vjeçarit Kreshnik H, në afërsi të rrugës "Tasim Shehu" në Tiranë, pasi gjatë një kontrolli në banesë iu gjetën rreth 600 gram lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›