E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myftinia e Elbasanit: "zgjedhjet të shtyhen një muaj"

Kreu i KMSH-së në Elbasan pohon se është e detyrueshme të largohen dyshimet për një proces të parregullt


ELBASAN - Myftinia Elbasan ka reaguar mbi zgjedhjet e Komitetit Mysliman që pritet të zhvillohen të shtunën, duke i quajtur të nxituara.

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, tha se Elbasani do të kërkojë të paktën shtyrjen deri në një muaj të zgjedhjeve në Komitetin Mysliman pasi kjo, sipas tij, është koha e mjaftueshme për të zhvilluar zgjedhje pa kontestime.

Ai ka kërkuar zbatimin e statutit të Komitetit Mysliman, i cili përcakton zgjedhje me më shumë se dy kandidatë. "Ne kërkojmë që të zbatohet statusi i Komunitetit Mysliman. E para, koha është e pamjaftueshme dhe e dyta nuk është bërë përzgjedhja e kandidaturave.

Ne kërkojmë që të bëhet përzgjedhja e kandidatëve të tjerë për kryetar të Komitetit Mysliman pasi, me sa dimë, është vetëm një kandidaturë dhe ai është kryetari aktual Selim Muça". Në kërkesën për shtyrje, Myftinia Elbasan ka kërkuar të paktën një muaj dhe zgjedhjet të zhvillohen në prill.

"Tani për tani ne vërejmë se ka defekte dhe duhet një afat për shtyrje për të zbatuar të gjitha kriteret që të mos lihet asnjë shteg për të folur më pas për manipulime e kontestime gjëra që çojnë deri në konflikte.

Ne kërkojmë që të shtyhet një muaj të paktën në prill, gjë që jep afat për të gjithë besimtarët myslimanë dhe për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që të nxjerrin kandidatët të njihen me procedurat e zgjedhjeve dhe figura më e lartë e komunitetit mysliman të jetë një figurë e pranuar nga të gjithë".

Ai ka ritheksuar se qëllimi zyrtar i Myftinisë Elbasan është zbatimi i statusit nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm. Duka e ka komentuar fazën aktuale si një përshpejtim që shihet me dyshim nga myftinitë apo besimtarët myslimanë.

"Ne kërkojmë të shihet ky afat dhe të vendoset një datë tjetër që do të nxjerrë zgjedhje më të pastra dhe më të qarta", tha ai.Ndërkohë lidhur me pjesëmarrjen e Myftnisë Elbasan në rast se zgjedhjet zhvillohen të shtunën, Duka ka deklaruar se përfaqësuesit e Myftinisë Elbasan janë të detyruar të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Përgjithshëm ku do të shprehin sigurisht mendimet dhe vlerësimet e tyre.

Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë ka parasysh me shkeljen e statutit, Myftiu Duka tha se statuti parashikon kandidatura të tjetra.


Anëtarët e këshillit duhet të zgjedhin një kandidat

"Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm i përbërë nga 20 vetë duhet zgjedhin një kandidat. Përderisa nuk ka ndodhur kjo dhe nuk është kryer ky veprim, kjo gjë sjell edhe dyshime. Nuk mund të paragjykoj, por ka shkelje të statutit dhe moszbatim të rregullave të Komitetit Mysliman.

Dua të them se këto përshpejtime dhe ky nxitim hedh dyshime dhe kjo nuk do të ishte e mirë për Komitetin Mysliman Shqiptar". Ai theksoi se për zgjedhjen e kryetarit ka edhe kritere:

E para, ai duhet të jetë me shtetësi shqiptare, të jetë me fakultet teologjik qoftë edhe me Medrese, të jetë me prejardhje dhe me traditë nga familje myslimane, të jetë i punësuar në Komunitetin Mysliman për 10 vjet dhe të jetë mbi 40 vjeç.

Myftinia e Elbasanit përfaqësohet me dy anëtarë në Këshillin e Përgjithshëm, duke u renditur një ndër strukturat më me peshë në këtë strukturë fetare. Myftiu Duka ka dashur të mos mbajë asnjë pozicion, ai ka theksuar se besimtarët nuk do të donin konflikte në strukturat drejtuese nëse zgjedhjet zhvillohen në këto kushte pa pasur mundësi që anëtarët të njihen me kandidaturat e mundshme dhe me figurat përkatëse.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›