Imamët: zgjedhjet në KMSH, drejt manipulimit
Imamët e Tiranës dhe Kavajës, kundër linjës zyrtare të KMSH-së. Nuk na lajmëruan për mbledhjen e Këshillit dhe raportin
Naçi e Teqja, kanë akuzuar krerët aktualë të Komunitetit Mysliman për shkelje të rënda të statutit
TIRANE- Imamët e Xhamive të Tiranës, si dhe Myftinia e Kavajës, kundërshtojnë Komunitetin Mysliman për mënyrën se si sipas tyre pritet të organizohet mbledhja e Këshillit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe zgjedhjet e pritshme në organet drejtuese të insitucionit të besimtarëve myslimanë në vend. Imamët e Xhamisë së Tabakëve, të.............................. asaj Xhura, Elvis Naçi dhe Gazmend Teqja, kanë reaguar dje pas lajmit se javën e ardhshme pritet mbledhja e Këshillit të Komunitetit Mysliman. Të dy klerikët, kanë pohuar se e gjithë procedura e ndjekur prej drejtuesve të lartë të këtij institucioni fetar dhe në mënyrë të veçantë është shkelur statuti i Komunitetit në disa pej neneve të tij, që kanë të bëjnë me përzgjedhjen e organeve drejtuese, si kryetarit, dhe organizimin e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm etj. "Gjithçka po kryhet me qëllim për të manipuluar zgjedhjet dhe që besimtarët të jenë të papërgatitur në një situatë të tillë",- pohojnë ata. Ndërkaq Teqja dhe Naçi, kanë argumentuar, së pari njoftimit që iu ka mbërritur myftinive të të gjithë vendit, është kryer duke shkelur statutin, pasi njoftimi për mbedhjen e Këshillit është dorëzuar me postë apo dorazi me 11 mars të këtij viti. Ndërkaq në shkresën informuese të datës 11 mars të këtij viti dhe me protokoll numër 56, thuhet se më datë 21 mars, në Medresenë e Kavajës "Haxhi Ali Korça", do të kryhet mbledhja e radhës e Kryesisë. "Drejtuesit e Komunitetit Mysliman, nuk kanë njoftuar sipas statutit, myftinitë e vendit, për datën e mbledhjes së Këshillit, pra dy javë përpara siç thuhet në statut. Njoftimi është bërë vetëm 10 ditë përpara",- thotë Gazmend Teqja, imam i Xhamisë së Xhura që ndodhet në rrugën "Bajram Curri", në Kinostudio. Përkundër këtij pretendimi Kryetari i këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Ilir Vokshi, ka pohuar dje në linjë telefonike për gazetën "Shekulli" se njoftimi është bërë brenda rregullave, pasi dihej që mbledhja e radhës do të ishte në mesin e muajit mars. "Në statut thuhet që mbledhja bëhet dy herë në vit. Vitin e kaluar, i ra që mbledhja e parë të bëhej me datën 15 mars, por këtë vit ajo u caktua më datën 21 mars. Pavarësisht kësaj këtu nuk ka ndonjë shkelje",- pohoi Vokshi. Ndërkaq, sa i përket raportimit të veprimtarisë së Komunitetit Mysliman dhe myftinive nga të cilat ai përbëhet, Vokshi pohoi se raporti do të lexohet në mbledhjen e Këshillit që do të zhvillohet në Medresenë e Kavajës, "Haxhi Ali Korça". Edhe ky moment është kundërshtuar nga imamët dhe duket se bashkë me ta janë edhe përfaqësues të xhamive të tjera në vend. Sipas tyre, askush nuk do të ketë mundësi të kundërshtojë raportin apo të diskutojë mbi problemet që nuk janë kryer mirë nga Komuniteti Mysliman dhe defektet e mundshme. Sipas tyre, në statut parashikohet që bashkë me njoftimin për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, në të gjitha myftinitë e vendit duhet të mbërrijë edhe raporti i veprimtarisë së Komunitetit Mysliman. Kjo çështje pritet të jetë në rendin e ditës së mbledhjes bashkë me zgjedhjen e kryetarit të myslimanëve shqiptarë. Në fund të shkresës së firmosur nga Ilir Vokshi dhe Selim Muça, kërkohet që myftinjtë së bashku me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, duhej të ishin të pranishëm në mbledhje. Dy imamët e Xhamive të Tiranës, kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes dhe vënien në dispoziocion të të gjithë anëtarëve të Raportit mbi veprimtarinë e Komunitetit Mysliman në një afat sa më të arsyeshëm.
Të shtunën është paralajmëruar organizimi i një proteste përpara medresesë ku pritet të mblidhet këshilli i Myslimanëve
Myftinia e Kavajës: të largohet Selim Muça
KAVAJË- Imamët e të gjitha xhamive që përbëjnë Myftininë e Kavajës, kanë kërkuar largimin e kreut të Komunitetit Mysliman të vendit H. Selim Muça dhe zëvendësimin e tij me ish- myftiun e Beratit, Qeramudin Durdia. Thuajse të gjithë Imamët e xhamive të Kavajë, kanë dalë kundër kreut aktual të Komunitetit, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij, për abuzime me pronat, dhe keqadministrim të funksionit të tij. Ndërkaq ata e kanë akuzuar Muçën edhe përpërfshirje në ish- strukturat e Partisë së Punës. "Ai, ndoshta pa vehtëdije po krijon një situatë të padëshiruar në perpektivën fetare dhe kombëtare. Sepse trysnia dhe frika ka pushtuar kolegët e mi imamë dhe sidomos ata që posedojnë ofiqe siç janë myftitë apo të tjerë që qëndrojnë nën këtë ombrellë. Ne duhet të organizojmë zgjedhje demokratike konform sheriatit islam."thekson imami Sulejman Rustemi . Pjesa dërrmuese e imamëve tjerë të qytetit dhe fshatrave ndjanë të njëtin qëndrim për personalitetin e Kryetarit të KMSH-së. Ndërkaq në një deklaratë të shpërndarë nga Myftinia e Kavajës, janë renditur edhe disa nga argumentet që sipas tyre përse nuk duhet të rikandidojë, Muça në krye të myslimanëve. "ai nuk ka përmbushur asnjë prej objektivave që ka marrë përsipër, nuk ka kredibilitet në xhametet e xhamive, fryma që ai përcjell është klanore arrogante e desptike", thuhet në një nga fletët e deklaratës së imamëve të kësaj myftinie. "Realiteti është se ing. Selim Muça ka ngulitur frymën e frikës në të gjithë myftitë e Republiks të cilët janë në dijeni të shkeljeve të ing. Muçës por frika e pushtetit i detyron ata të tradhëtojnë ligjet e sheriatit islam" thotë H.Xhaferr Shkodra. Në strukturat e KMSH-së kanë rrezatuar herëpashere opinione që besimtarët apo imamët e rinjë akuzohen si ekstremisë apo njerëz që mbartin në vetvete ide ekstreme si antikombëtar apo gjëra të ngjashme. Kur edhe marrveshja e realizuar midis shtetit dhe KMSH-së i jep pushtet kryetarit, që siç quhet nga Hoxha i kavajës "Polici komunist" që të vendosë një ligj ushtarak të modelit komunist që ai e ka mësuar në mirë në Moskë kur ishte student."Mënyra se si po udhëhiqet sot KMSH-ja i ngjan një shoqate kulturore ku kryetari ka fonde dhe bën ç'të dojë me to" thotë ish-myftiu i Rrogozhinës Sokol Kondakçiu.-"Të mbyllësh myftininë e Rrogozhinës dhe Shijakut e të hapësh myftini në një zonë që nuk ka xhami është absurde,kjo mund të lexohet ndryshe trafikim votash." thotë Kondakçiu.
Nenet e statutit që pretendohen të jenë shkelur
Neni 22
Paragrafi 2
Në bashkëpunim me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, përgatit mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, njofton anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mbledhjen e radhës dhe rendin e ditës dhe vë në dispozicion të tyre materialet e mbledhjes 15 ditë përpara saj.
Neni 25
Pragrafi 3
Kryesia i propozon Këshillit të Përgjithshëm për ndryshimin e Statusit, Aktit të Themelimit dhe Rregullores së Brendshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Pragrafi 5
Kryesia i propozon Këshillit të Përgjithshëm jo më pak se dy kandidatura për Kryetar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Pragrafi 6
Ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm Kryesia e KMSH emëron dhe shkarkon nga detyra Nënkryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm, drejtorët e drejtorive, përgjegjësit e zyrave dhe myftitë e zonave, rretheve dhe nënmyftitë, si dhe bën lëvizjen dhe uljen në detyrë të tyre. vendimet e kryesisë për emërimin, lëvizjen paralele, shkarkimin dhe uljen në detyrë të kuadrove drejtuesve të përcaktuar në këtë paragraf i kalojnë për miratim Këshillit të Përgjithshëm në mbledhjen e parë të zakonshme, i cili miraton ose jo vendimin e kryesisë.