E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me një këmbë, në kërkim të ushqimit

Përparim Muhametaj ka humbur të drejtën e invalidit, ndërsa gjendja e tij është në përkeqësim


DURRËS - Ka ditë që sillet rrotull duke çaluar nga proteza metalike që i zëvendëson pjesën e poshtme të këmbës në një luftë të përditëshme të lodhshme për të siguruar bukën e gojës për dy fëmijë të vegjël që ka mbi shpinë. Është kaq i rënduar psikologjikisht invalidi Përparim Muhametaj sa të drejtohet me dhimbje se s'i kanë lënë rrugë tjetër per të zgjedhur, veçse të hidhet nga kati i sipërm i ndonjë banese të lartë ose të dalë para ndonjë treni mbi shina.


Ajo që e ka mbajtur deri tani është vetëm frika se fatin e tij do ta pësojnë edhe fëmijët e vet, të cilët janë të vegjël dhe kanë edhe ata probleme shëndetësore. 37-vjeçari me një këmbë metalike nuk ka shumë shokë për të hyre në grevë urie, si tetraplegjikët, të cilët pasi qëndruan në grevë u shkuan pranë personalitete të politikës edhe ua zgjidhën disi hallet që kishin.


Ai thotë se ka ditë pa ngrënë, por askush nuk çan kokë për fatin e tij dhe të dy fëmijëve që ka. Djalin e madh e ka në kopsht dhe shpesh kopshtin ia paguajnë moshatarë të tij, jo rrallë edhe njerëzit e gruas.


Vetë Përparimi tregon se nuk e mban mend kur është ulur në karrigen e lokalit për të pirë me ndokënd kafe. As duhan nuk pi. Shumëkush e njeh ngase ai është djali i qetë i lagjes numër 2 ku është lindur dhe rritur. Prej disa muajsh shkon sa në Tiranë, në Durrës.


Komisioni i Caktimit të Paaftësisë në Durrës e ka përcjellë për në Tiranë duke e hequr "qafe". Ka më shumë se 4 vite që atij ia kanë hequr kempin dhe askush nuk i ka dhënë përgjigje. Udhëton me tren në të hënë e të enjte, por edhe në Tiranë nuk ka gjetur zgjidhje. "Duan shumë para, kurse unë nuk kam as për të blerë bukën për fëmijët",- thotë Përparim Muhametaj.

Ka trokitur tek zyra e komisionit në Durrës. Mjekëve u ka treguar edhe këmbën e gangrenizuar, protezën, raportin mjeko-ligjor, dokumentin që vërteton se edhe djali i tij i vogël ka probleme serioze.

Thuajse të gjithë anëtarët e këtij komisoni e njohin. Së paku si paraqitje, si njeri që për vite të tëra ka qenë pacient i tyre dhe me dosje invaliditeti.

Nuk ka lënë mjek pa kapur, nuk ka lënë zyrë pa hyrë. Të gjithëve u ka kërkuar ndihmë për të "bindur" komisionin e KMCAP që ata t'i rijapin të drejtën e përfitimit të ndihmës si invalid.

Pas përcjelljes nga Durrësi atij me 6 muaj vonesë i ka ardhur edhe përgjigja nga Tirana, më saktë më 18.02.09 ku komisioni mjekësor me vendimin nr.79 e njofton se pas rikontrollit të bërë nuk përfiton ndihmë financiare, çka do të thotë se ai tashmë pas fatkeqësisë që ka pasur 19 vjet më parë kur iu pre këmba, duhet të përballojë fatkeqësinë e dytë kur tashme jo natyra, por njerëzit ose zyrtarët e shtetit, po i presin çdo burim të ardhurash për të jetuar.


Mjekët nuk i hedhin poshtë vlerësimet e përkeqësimit të shëndetit të invalidit 37-vjeçar. Në flektëdrejtimi Për KMCP një ekip mjekësor shkruan se konstatohet se vuan prej "Amputatio sinistra et hallux", protezë e kërcirit të majtë.

Në fund të historikut të sëmundjes shkruhet se "ka shpeshherë dekupituse të cungut, ka atrofi muskulare dhe lodhet shumë shpejt. Ka qenë invalid dhe tani ridërgohet për rivlerësim grup invaliditeti". Megjithatë e kanë percjellë... Një mik i ka rekomanduar që të takojë drejtoreshën e Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si dhe ministren e Shëndetësisë.

Po personalitetet ecin me makina të shpejta dhe invalidi nuk mund t'i ndjekë pas, se nuk ka këmbë e as para për t'i ndjekur në Tiranë a gjetkë... Madje, ai ankohet se nuk ka as bukë për të ngrënë dhe shpesh shitësi i lagjes ia fal, pasi ia di hallin.

Afrimi i festave fetare rikthen organizimin e shërbimeve policore të dy vendeve për problemet

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›