E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: ”Në zgjedhje me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike”



TIRANË – “Shqiptarët do të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike”, - u shpreh sot (e mërkurë) ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë konferencës për shtyp në lidhje me procedurat e ndjekura për tenderin ndërkombëtar për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Në përgjigje të interesimit të medias ministri Nishani tha se jemi të vendosur të plotësojmë këtë standard të institucioneve shqiptare, këtë detyrim të kësaj qeverie, së pari përballë qytetarëve shqiptarë dhe së dyti përballë standardeve që partnerët europianë kërkojnë ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Ministri Nishani rikonfirmoi vendosmërinë për të mos u tërhequr ndaj çdo lloj presioni apo tendence për ta dëmtuar procesin e pajisjes së shqiptarëve me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. “Shqiptarët do të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme me pasaporta e letërnjoftime dhe natyrisht ne po punojmë çdo ditë për të realizuar dhe për të bërë të mundur atë mundësi të madhe që do t’u jepet shqiptarëve për lëvizjen e lirë, duke pasur një pasaportë biometrike”, - tha ministri i Brendshëm.

Arrestohet drejtuesi i mjetit, aksidentoi një 83-vjeçar

TIRANË - Një drejtues mjeti u arrestua dy ditë më parë nga forcat e Policisë së kryeqytetit, pasi aksidentoi për vdekje një 83-vjeçar. Ngjarja ndodhi të martën në Rrugën e Elbasanit, në Tiranë. Në njoftimin e djeshëm për shtyp të Policisë thuhet se Selim Hasa, 33 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, u arrestua për veprën penale, “të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Hasa, duke qarkulluar me automjetin tip “Jaguar”, me targa TR 9299 F, në Rrugën e Elbasanit, ka aksidentuar shtetasin Lazër Telhaj, 83 vjeç, banues në Tiranë, i cili po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Pas aksidentit, Telhaj është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku dhe humbi jetën si rezultat i plagëve të marra. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën e mësipërme penale.

Interpoli ekstradon nga Parisi të dënuarin me 23 vjet burg

TIRANË - Interpol Tirana ekstradoi dje nga Parisi, Francë, shtetasin Arjan Nallbani, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar me 23 vjet burg për veprën penale “vrasje për motive të dobëta”. Burime nga Policia e Shtetit thanë të mërkurën për ATSH-në, se “42-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e rrethit Tiranë, në maj të 2001-shit e ka dënuar atë me 23 vjet burg për veprën e mësipërme penale”. Arjan Nallbani ka goditur me thikë në kraharor shtetasin Ilir Marku, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në gusht 1991, në rrugën “Gogo Nushi” në Tiranë.

Krimi i rrugës, pesë të ndaluar në 24 orë

TIRANË - Pesë persona janë arrestuar në Tiranë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa tre të tjerë do procedohen në gjendje të lirë për vepra penale si “trafikim të mjeteve motorike”, “falsifikim dokumentesh” dhe “vjedhje”. Sipas Policisë së Tiranës, me akuzën e “trafikimit të mjeteve motorike” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, u arrestua shtetasi Gëzim Mejdani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Gazment Koxhaj, 35 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, i cili u kap në kushtet e flagrancës duke tregtuar paketa cigaresh pa pullë fiskale dhe pa origjinë të mallit”. Në kushtet e flagrancës u arrestua edhe shtetasi Enea Beqiri, 21 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, teksa tentonte të vidhte një automjet tip “Fiat Uno”, me targa italiane. Me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim” të një minimarketi u arrestuan shtetasi Fadil Tuzi, 22 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër dhe një 16-vjeçar me inicialet M. K. Gjithashtu, për veprën penale të vjedhjes policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë edhe ndaj një të mituri. Ndërsa specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko- Financiar proceduan në gjendje të lirë për falsifikim dokumentesh shtetasit, Lulëzim Sinani, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë dhe Kamber Kamberi, lindur dhe banues në Tiranë.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›