Arrestohet polici për skenarin, nuk ishte atentat por vetëplagosje
BERAT – Ka tentuar t’ua hedhë kolegëve duke pretenduar se ndaj tij është bërë një atentat, por më në fund rezultoi se polici ishte vetëplagosur me synimin për të ngritur një alibi. Mbarë opinioni publik është njohur dy javë me parë me ngjarjen e rëndë, e cila ka pasur si protagonist ekspertin e policisë kriminale në Qarkun e Policisë së Beratit, Astrit Pirja, i cili pretendoi se para shtëpisë së tij ishte bërë një atentat më datën 13.03.2008. Strukturat e policisë dhe ekspertët, pas marrjes së njoftimit mbi plagosjen e Pirjes, vlerësuan në maksimum dhe me intensitet kryerjen e hetimeve dhe ekspertimin për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Nga hetimet dhe eksperimentimet në Institutin e Policisë Shkencore ka rezultuar se punonjësi i policisë, Astrit Pirja, është vetëplagosur dhe më pas ka ndërtuar alibinë se ndaj tij është bërë atentat duke u plagosur për shkak të detyrës që kryente si polic i Policisë Kriminale. Shtetasi Astrit Pirja ka deklaruar të dhëna të rreme mbi ngjarjen, duke konsumuar elementet e veprave penale të "kallëzimit të rremë","armëmbajtjes pa leje","prishjes së qetësisë publike" dhe "shkelje e etikës së punonjësit të policisë", vepra penale të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Për shkak të konsumimit të këtyre veprave penale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka lëshuar ndaj ish-policit urdhrin e ndalimit, i cili është ekzekutuar menjëherë nga blu-të e Beratit. Po kështu, menjëherë pas zbardhjes së këtij atentati fars, të montuar nga vetë inspektori i Policisë Kriminale, Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat ka përjashtuar Astrit Pirjen nga radhët e strukturave të rendit. Më 13 mars, në orën 23.00, para shtëpisë së efektivit të policisë së Beratit Astrit Pirja u dëgjuan katër të shtëna. Plumbat ranë mbi makinën e policit dhe njëri prej tyre plagosi vetë autorin. Vetë i lënduari deklaroi se ishte një atentat që lidhej me detyrën si oficer në sektorin e krimeve. Por hetimet çuan në një pistë tjetër, atë të një skenari, gjë që i ka kushtuar karrierën efektivit tashmë të përjashtuar nga radhët e strukturave të policisë.
Apeli lë në qeli për 30 ditë dy pronarët e “firmës piramidale”
KORÇË - Gjykata e Apelit në Korçë ka vendosur që dy biznesmenët huamarrës, Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, të qëndrojnë në masën e sigurisë “një muaj burg”deri në përfundim të hetimeve që ka nisur Prokuroria e Rrethit të Korçës. Gjykata e Apelit ka lënë kështu në fuqi të njëjtin vendim që ka marrë edhe Gjykata e Faktit për masën e sigurisë “një muaj burg” ndaj dy biznesmenëve, me qëllim që ky afat t’i shërbejë organit të Prokurorisë për plotësimin e dosjes hetimore të hapur tashmë për ta. Të akuzuarit për veprën penale “mashtrim në shuma të mëdha në bashkëpunim”, Ilia Nikolla dhe Jani Lluka, nëpërmjet avokatëve të tyre, por edhe në fjalën që mbajtën para trupit gjykues, pretenduan se kanë zhvilluar një aktivitet të ndershëm në biznesin e prodhimit të konfeksioneve. Ata u shprehën se kanë investuar kapitale të mëdha në modernizimin e dy fabrikave të prodhimit të konfeksioneve, duke pranuar faktin që kanë detyrime huamarrjeje ndaj disa personave në qytetin e Korçës. Nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, ata kërkuan të lirohen në mënyrë që të vazhdojnë sipas tyre normalisht aktivitetin privat dhe të shlyjenë detyrimet ndaj huadhënësve. Prokurorja e Apelit, Irma Bali, u shpreh se, "dy të pandehurit nuk duhet të paragjykojnë hetimet e organit të akuzës nëse çështja në ngarkim të tyre është penale apo civile", sepse këtë, sipas saj, do ta vërtetojnë hetimet që janë drejt përfundimit. Gjithashtu, prokurorja Bali theksoi faktin se janë në rritje denoncimet për huamarrje të këtyre dy biznesmenëve.
27 Mars 2008