E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë për grabitje te Rruga e Durrësit, zbulohen pas tri javësh

Pranga Petrit Lazajt dhe Albana Zenelajt, ekzekutorët e 57-vjeçarit. Nxitën viktimën për të kryer marrëdhënie me autoren e dyshuar të vrasjes

Tiranë – Zbardhjet vrasja e 57-vjeçarit Gëzim Shullani më 4 mars në afërsi të ish- Ambasadës Jugosllave. Burimet policore thanë se autorë të kësaj ngjarjeje janë Petrit Lazaj, 38 vjeç nga Tepelena, si dhe Albana Zenelaj, 37 vjeçe, banuese në Vlorë. Personat e arrestuar mendohet se e kanë kryer krimin në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me qëllim grabitjeje. Uniformat blu thanë se Zenelaj e ka tërhequr të ndjerin pranë ambasadës dhe pastaj e ka qëlluar me mjete të forta në kokë, gjë që ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme të tij.
Operacioni
Kishte gati tri javë që policia hetonte për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ata kanë pikasur një çift të ardhur në Tiranë. Dyshimet e para kanë ardhur pas survejimit që i është bërë çiftit, ku rezultoi se Lazaj ishte njeri me precedentë penalë e madje i kërkuar nga Drejtësia shqiptare. Pikërisht ky përdorte për prostitucion 37-vjeçaren Zenelaj. Kaq ka mjaftuar që uniformat blu, duke marrë edhe lejen e prokurorisë, vunë në pranga burrë e grua të rremë. Ndalimi i tyre u bë i mundur në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë.
Hetimi
Pas një hetimi disajavor, grupi hetimor doli në konkluzion se të dy autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje kanë nxitur viktimën që të hyjë në ambientet e ish - Ambasadës Jugosllave (i cili ishte ambient i braktisur), për të kryer marrëdhënie seksuale me autoren e dyshuar të vrasjes, shtetasen Albana Zenelaj, me qëllim grabitjen e viktimës. Të dy autorët e dyshuar, në bashkëpunim me njëri - tjetrin, pasi e kanë grabitur dhe plaçkitur viktimën duke i vjedhur sendet personale dhe shumën e parave prej 4 mijë lekësh, e kanë qëlluar me mjete të forta në kokë duke e lënë të vdekur. Dyshohet se shtetasi Petrit Lazaj, i proceduar më parë për “vjedhje me armë”, shfrytëzonte në Tiranë për qëllime përfitimi 37-vjeçaren e cila prostituonte kundrejt një shumë të caktuar parash, duke grabitur njëherazi klientët e saj, e ndihmuar nga ky i fundit. Petrit Lazaj ishte i njohur për uniformat blu pasi ai ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, e cila me vendim të datës 14 dhjetor 2007, e ka dënuar në mungesë me 6 muaj burg për veprën penale “vjedhje me armë”. Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›