“Policia, standard sigurie në zgjedhjet e vendit”

Presidenti i sapo zgjedhur, Nishani takim përshëndetës me strukturat e policisë
Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani në takimin përshëndetës me strukturat e policisë së shtetit i ka falenduar ato për bashkëpunimin e shkëlqyer, ndërsa e theksuar se policia me punën e saj ka rritur prestigjin dhe i siguroi se në statusin e presidentit do të ketë në vëmendje të veçantë policinë.
Ai ka vlerësuar standardin e vendosur nga Policia e Shtetit në proceset zgjedhore si dhe paanshmërinë nga ndikimet politike. “Dua t’ju shpreh mirënjohjen për standardin që keni vendosur në proceset zgjedhore. Ka qenë një standard që e keni rivendosur dhe do përmirësohet edhe më shumë, që ka të bëjë me nivelin e demokracisë. Dhe standardi që policia ka vendosur sot si krejtësisht e distancuar nga ndikimet politike, është vlerësim që ju ka ardhur nga qytetarët. Unë sot jam i privilegjuar si i zgjedhur në postin më të lartë të shtetit dhe besoj në integritetin tuaj, në pozicionin që keni ju dhe gjithë kolegët tuaj. Integriteti duhet t’ju karakterizojë se do ju ndihmojë në arritjen e sukseseve. Sukseset tuaja kanë qenë pjesë e sukseseve të qeverisë shqiptare dhe ministrisë së Brendshme. Unë besoj se sa më shumë ta lartësoni ju figurën tuaj, të veprimit me profesionalizëm, aq më shumë do e merrni vlerësimin nga qytetarët”, deklaroi presidenti Nishani.
“Do të mbaj në kujtesën dhe në memorien time, gjatë gjithë jetës time, një bashkëpunim, një sjellje profesionale, ndër më të arrirat që ka pasur Policia e Shtetit ndonjëherë. Sot ju them me plot bindjen, edhe për shkak të eksperiencës sime në krye të Ministrisë së Brendshme, përgjatë punës që kemi pasur së bashku, që ju, bashkëpunëtorët tuaj, stafi juaj, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, në këto vitet e fundit me punën e tyre, përkushtimin e tyre, me guximin dhe kurajën e tyre, me profesionalizmin e tyre, i kanë rritur prestigjin shtetit shqiptar. Duhet të ndjeheni krenarë për këtë arritje që i keni sjellë këtij institucioni, një institucion shumë i rëndësishëm, sepse lidhet me një nga çështjet vitale, themelore të individit, por edhe gjithë shoqërisë, që është siguria. Siguria është baza dhe thelbi i plotësimit dhe i realizimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Nëse mungon siguria është e pamundur për individin, për grupimet shoqërore, për shoqërinë në tërësi, që të gëzojë të drejtat dhe liritë themelore. Kështu që, me standardin e sigurisë që ju i keni ofruar, keni bërë të mundur që të rritet padyshim edhe niveli i gëzimit dhe i ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Natyrisht që është një profesion që ka vështirësi të shumta, si shumë profesione të tjera, por ka specifika, ka vështirësi. Punonjësit të Policisë së Shtetit i duhet të ndeshet çdo ditë me interesa të individëve apo grupeve që veprojnë në kundërshtim apo në thyerje të hapur të ligjit, që veprojnë brenda aktiviteteve kriminale, interesa të cilat janë padyshim të mëdha dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin, në anashkalim të ligjit, në thyerje të ligjit, e bëjnë të vështirë padiskutim reagimin ndaj tyre. Por kjo, nga ana tjetër, ka çuar në një rritje të nivelit të profesionalizmit të Policisë shqiptare. Unë ruaj dhe do të ruaj respektin tim për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, padyshim drejtuesit kryesorë me të cilët kam pasur mundësinë të takohem çdo ditë dhe të punojmë së bashku, për të gjithë brezat që janë dhe punojnë në Policinë e Shtetit, për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite me radhë në Policinë e Shtetit. Një fat shumë i madh sot për Shqipërinë, për qytetarët shqiptarë, që ky instrument i shtetit ligjor, Policia e Shtetit, konsiderohet një partner serioz nga mjaft prej organizatave të huaja homologe në Evropë dhe përtej Europës. Agjenci të tilla, të cilat bashkërendojnë operacione shumë të rëndësishme ndërkombëtare me ju, do të thotë që jo vetëm gëzojnë besimin tek ju, por që përshtaten edhe në nivel profesional. Kjo duhet t’ju bëjë juve të ndjeheni krenarë dhe padyshim duhet t’i gëzojë dhe t’i bëjë të ndjehen të qetë qytetarët shqiptarë. Natyrisht nuk ka vetëm arritje, ka edhe problematika, ka edhe vështirësi. Sfidat i keni përpara, por unë besoj plotësisht në reputacionin e punonjësve të Policisë së Shtetit, në reputacionin e drejtuesve të Policisë së Shtetit, dhe besoj plotësisht në trendin e rritjes gjithnjë e më shumë të nivelit të profesionalizmit të oficerëve dhe punonjësve te Policisë së Shtetit”, u shpreh ish ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Presidenti i sapozgjedhur theksoi se Policia e Shtetit vendosi një standard si një nga elementët e rëndësishëm të performancës dhe figurës së shtetit, garantimin e një ambienti të sigurt dhe larg çdo ndërhyrje në proceset zgjedhore.
“Ka qenë një standard që e kemi rivendosur, një standard i cili padyshim do të përmirësohet edhe më shumë, por ky është një kontribut shumë i madh që i keni dhënë asaj që ne sot në shoqërinë tonë diskutojmë aq shumë, debatojmë aq shumë, që ka të bëjë me nivelin e demokracisë. Standardi që Policia e Shtetit ka rivendosur sot në krijimin e ambientit tërësisht të distancuar nga ndikimet politike, plotësisht i përfshirë në garantimin e sigurisë dhe të rendit, për individët, për grupimet politike, aktivitetet, është një vlerësim i cili juve ju ka ardhur në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë dhe çdo vlerësim që vjen nga qytetari në mënyrë të drejtpërdrejtë, më besoni është vlerësimi më i madh që mund të fitojë dhe duhet ta fitojë një individ dhe një punonjës shteti kudo që ai të jetë”, tha ai.
Nishani theksoi se kontributi dhe arritjet e strukturave të Policisë së Shtetit, kanë qenë edhe pjesë e sukseseve të Ministrisë së Brendshme. “Kanë qenë pjesë e sukseseve të Qeverisë shqiptare dhe unë jua uroj që të vazhdoni ta forconi më shumë, lartësoni më shumë atë figurë që keni krijuar tek qytetari shqiptar. Unë besoj plotësisht, edhe si qytetar i këtij vendi, se sa më shumë ta lartësoni ju figurën tuaj në aspektin e gjendjes pranë qytetarit, të veprimit me profesionalizëm, të respektimit maksimal të të drejtave të qytetarëve, të komunikimit me qytetarët, aq më shumë do ta merrni vlerësimin nga qytetari. Dhe në fund të fundit kjo është arritja më e madhe që mund të ketë një njeri në jetën e tij publike”, deklaroi më tej ai.