E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, përgjumja i merr jetën emigrantit

 TEPELENE - Gjumi ka rezultuar fatal për një emigrant nga Mirdita, i cili ka humbur jetën në momentin kur udhëtonte drejt vendlindjes. Aksidenti automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Tepelenë-Ballsh. Paulin Gjergji, 41 vjeç nga Mirdita, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së premtes në vendin e quajtur Gurorja e Visarit në Mogila, por ngjarja është konstatuar nga roja i një guroreje aty pranë vetëm rreth mesditës. Viktima që udhëtonte me një makinë tip “HONDA” me targa greke, është rrëzuar poshtë një ure, duke mos u vënë re nga udhëtarët e tjerë që kanë kaluar më vonë në të njëjtin aks. Nga veprimet e kryera prej grupit hetimor rezulton se terreni nuk ka qenë i rrëshqitshëm, duke dyshuar se përgjumja e shoferit që udhëtonte i vetëm ka shkaktuar ngjarjen fatale për jetën e tij. Një tjetër aksident me vdekje u shënua dje në rrugën nacionale Milot-Lezhë, kur një fuoristradë me targa të huaja doli nga rruga duke përfunduar në një kanal të mbushur me ujë. Drejtuesi i mjetit është identifikuar më vonë si 50-vjeçari Mark Murri. Dyshohet se shpejtësia, lagështira nga shiu dhe fushëpamja e dobët kanë bërë që shoferi i “Mitsubishit” të humbë kontrollin. Gjatë orëve të natës një tjetër makinë doli nga rruga, në afërsi të Rubikut dhe të 4 udhëtarët, emigrantë nga Greqia përfunduan në lumin Fan. Pavarësisht plagëve, ata arritën të shpëtonin. Gjatë mbrëmjes së Krishtlindjeve dhe ditës së djeshme është shtuar dhe fluksi i emigrantëve që vijnë kryesisht nga Greqia, të cilët janë përballur me orë të tëra pritjeje.                      p.n/r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›