Kombinat, emigranti plagos dy kushërinjtë për 300 metra tokë
TIRANE - Një konflikt pronësie në periferi të Tiranës, ka shkaktuar dy të plagosur dhe ka çuar në pranga dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes. Kushërinjtë Pëllumb dhe Hasan Kurti, nga një fshat pranë lagjes Kombinat të kryeqytetit, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, nga emigranti Ermal Ceka, që sapo ishte kthyer nga Anglia dhe një miku i tij Shano kamberi. Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin periferik, në truallin prej 300 metrash/katrorë, për të cilin kishte një konflikt disavjeçar mes familjes Kurti dhe Ceka. Të dy familjet pretendonin se ajo pjesë toke ishte e tyre dhe për këtë pronë mes pjesëtarëve të dy familjeve kishte pasur vazhdimisht konflikte dhe debate. Ndërkohë, konflikti i ka kaluar kufijtë e fjalëve ofenduese dhe kërcënimeve, kur djali i madh i familjes Caka është kthyer nga Anglia për festat e fundvitit. Kur është informuar nga familjarët e tij, se konflikti për atë pronë vazhdonte ende, ka preferuar që të zgjidhë gjithçka me plumba. Mëngjesin e djeshëm ai i ka hipur makinës së tij tip “Audi” me targa angleze dhe ka kërkuar ndihmën e një shokut të tij, Shano Kamberit, që të shkonin të zgjidhnin një “problem”. Sapo kanë parë dy pjesëtarë të familjes Kurti, Pëllumb dhe Hasan Kurtin, ata kanë zbritur nga makina dhe kanë nisur të debatojnë me ta. Pas fyerjeve dhe kërcënimeve të ndërsjella, Ermal Ceka ka nxjerrë armën e zjarrit që mbante në makinë dhe ka qëlluar në drejtim të dy kushërinjve, duke i plagosur rëndë. Menjëherë pas ngjarjes Ceka ka hipur në makinë bashkë me shokun e tij, Kamberi dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Por policia e Komisariatit nr.6 e njoftuar në kohë për ngjarjen, ka arritur të ndalojë autorët e dyshuar të ngjarjes, në dalje të Kombinatit dhe menjëherë i ka arrestuar, duke sekuestruar edhe armën e krimit. Ndërsa dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku sipas policisë tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. e.d