Nishani-Rexhepi, marrëveshje për patrullim të përbashkët të kufirit

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi priti dje në një takim homologun e shqiptar, Bujar Nishani
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Bajram Rexhepi ka pritur sot në një takim zyrtar, homologun shqiptar Bujar Nishani. Të dy ministrat nënshkruan protokollet për patrullimin e përbashkët gjatë kufirit shtetëror mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Ministri Rexhepi tha se për këto vite kemi pasur një bashkëpunim të mirë dhe ky bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, në drejtim të një sigurie më të madhe në rajon, ka bërë që të kemi një lufte më efikase kundër krimit të organizuar. “Në vazhdën e formalizmit të bashkëpunimit që kemi pasur deri më tani, sot i nënshkruam edhe dy protokolle të bashkëpunimit për patrullime të përbashkëta kufitare në vijën e gjelbër, ku dy policitë tona kufitare nga nivele të caktuara, qoftë nga niveli qendror, rajonal ose lokal mund të bashkëpunojmë rreth një lufte më efikase të prevenimit të trafiqeve të drogave të ndryshme të krimit të organizuar”, theksoi ministri Rexhepi. Ministri Rexhepi vuri në dukje se shumë shpejt do të fillojë sezoni turistike, ku pritet një fluks shumë i madh dhe edhe si viteve të kaluara, do të krijohen lehtësimet për qytetarët me vetëm një ndalesë dhe përgatitjet kanë filluar që tani. “Unë kërkova nga ministri Nishani të na ndihmojnë me përvojën që kanë pasur në procesin e liberalizmit të vizave, që për ne është një proces në vazhdë e sipër dhe presim që këtë vit të kemi udhërrëfyesin. Për praktikat e tyre, raportimet, aktet nënligjore që këta i kanë pasur, kampanjën që e kanë shfrytëzuar, si një model i mirë dhe vërehet një gatishmëri e plotë që të jenë në dispozicionin tonë, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë këto praktika sa më të mira që ne t’i realizojmë synimet tona drejt liberalizmit të vizave”, tha ministri Rexhepi. Nga ana e tij ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se mes dy ministrive dhe dy policive ka një mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. “Natyrisht që shpreha përtej këtij vlerësimi, optimizmin duke u mbështetur në rezultatet e shkëlqyera të bashkëpunimit që kemi pasur deri më tani. Për të treguar modelim më të mirë të bashkëpunimit në rajon. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, në luftën ndaj trafiqeve në menaxhimin dhe kontrollin e kufirit është një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit rajonal”, theksoi Ministri Nishani. Ministri i Brendshëm vuri në dukje gjithashtu se, eksperiencat e deritanishme kanë treguar se përveç një vullneti që ekziston midis qeverive, midis ministrive, ekzistojnë kapacitete nga më të larta profesionale të Policive të dy vendeve, në goditjen e fenomeneve të krimit dhe kjo është evidentuar dhe është bërë pjesë e monitorimit dhe prezantimit nga organizmat ndërkombëtare në raportet e tyre. “Fakti që edhe në momentet e flukseve të lëvizjes më të madhe në pikat e kalimit kufitar, mes dy vendeve, gjatë sezonit veror që të gjithë e dimë që ka një fluks shumë të madh, aplikimi i menaxhimit dhe kontrollit të kufirit, përveç një sporteli të përbashkët, ka ofruar lehtësi më të madhe për Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe për qytetarët e tjerë, niveli tjetër i përgjegjshmërisë, profesionalitetit ka bërë të mundur që efekti i goditjes së veprimtarisë kriminale të jetë në maksimumin e saj”, tha Nishani.
...