E Diel, 1 Nëntor 2026

Së shpejti nënshkruhet Marrëveshja për heqjen e vizave me Tajlandën

11-03-2012 / Gazeta 55

Ministri Haxhinasto përfundon në Bankok vizitën e tij në Azinë Juglindore

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka përfunduar në Tajlandë vizitën e tij në Azinë Juglindore. Gjatë ditës së djeshme ai është takuar në Bankok me Zëvendëskryeministrin e Tajlandës, Yuthasak Sasiprapha. Kjo vizitë shënon vizitën e parë të Ministrit të Jashtëm shqiptar në Tajlandë, që me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve 30 vjet më parë.
Mes dy vendeve tona do të nënshkruhet së shpejti një marrëveshje për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, si hap i parë drejt një regjimi më fleksibël drejt lëvizjes pa viza midis dy vendeve. Të dy kolegët nënshkruan dhe memorandumin e Mirëkuptimit për mbajtjen e konsultimeve midis dy Ministrive te Jashtme.
Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht për bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Tajlandës, që përbën vendin me rritjen ekonomike më të fuqishme në Azinë Juglindore. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet ekzistuese midis dy vendeve duhet të njohin një zhvillim të ri dhe vizita e ministrit Haxhinasto në Bangkok hap një faqe të re në bashkëpunimin dypalësh.
Ministri Haxhinasto theksoi se forcimi i bashkëpunimit në fushën politike duhet të shoqërohet me rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike. Po ashtu, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se, përveç Memorandumit të Mirëkuptimit që u nënshkrua, duhet të plotësohet baza ligjore. Për këtë u ra dakord që të punohet së bashku për nënshkrimin e marrëveshjeve për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, heqjen e taksimit të dyfishtë, lehtësimin dhe lëvizjen pa viza, etj.
Midis dy vendeve pritet të nënshkruhet së shpejti edhe Marrëveshja për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, si hap i parë drejt një regjimi më fleksibël drejt lëvizjes pa viza midis dy vendeve.
Forcimi i marrëdhënieve në fushën ekonomike, tha Haxhinasto, do të realizohet duke njohur më mirë mundësitë dhe oportunitetet që ofron çdo vend, si dhe duke sjellë më afër komunitetet e biznesit të dy vendeve. U ra dakord të ngrihet komisioni ekonomik i përbashkët në një datë të afërt. Ministri Haxhinasto i prezantoi Zëvendëskryeministrit tajlandez, Yuthasak Sasiprapha zhvillimet më të fundit në rajon, duke vënë theksin në kontributin që Kosova e pavarur ka dhënë në drejtim të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Në vazhdim, Ministri Haxhinasto kërkoi që Tajlanda të rishikojë qëndrimin e vet në dritën e zhvillimeve të fundit të marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe të ecurisë së procesit integrues të tyre ne Evropë.
Zëvendëskryeministri Yuthasak Sasiprapha, shprehu vëmendjen për ndjekjen e zhvillimeve në Ballkan dhe Kosovë dhe tha se do të mundësohen kontaktet dhe komunikimet njerëzore midis dy popujve dhe, po ashtu, do të merren hapa për të lehtësuar udhëtimin e qytetarëve të Kosovës në Tajlandë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›