Grinden dy adoleshentë, plagoset me thikë një prej tyre
Një sherr banal mes dy adoleshentëve për pak i ka kushtuar jetën njërit prej tyre. Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes në qytetin e Kuçovës, kur Elidon Dauti është qëlluar me thikë nga një adoleshent. Burime nga policia e këtij qyteti thanë se mes Dautit dhe 17-vjeçarit me iniciale E. I. ka nisur një sherr për motive banale, ku pas fjalëve fyese të ndërsjella adoleshenti E. I. ka nxjerrë thikën dhe ka goditur kundërshtarin e tij duke e lënë të plagosur. Policia e njoftuar për plagosjen mbërriti menjëherë për të zbuluar motivet dhe autorin e ngjarjes. Brenda pak minutash oficerët e policisë mundën të ndalonin autorin e dyshuar E. I.
Durrës
Pinin kafe në lokal, plagosen nga makina klientët
Disa prej klientëve të lokalit buzë rrugës në Lagjen Nr. 4 të Durrësit nuk ua kishte prerë mendja kurrë se duke pirë kafen e mëngjesit në shoqërinë e miqve të tyre do të përfundonin në spital me fraktura, pasi një makinë i përfshiu nën rrota.
Ngjarja e rrallë ndodhi kur një automjet i markës “Benz” me targë DR 8577 C, ka dalë nga rruga duke u përplasur në anën e djathtë të trotuarit dhe ka aksidentuar 5 persona. Burime hetimore thanë se automjeti i drejtuar nga Nadir Dushaj, 51 vjeç, ka devijuar nga rruga duke plagosur Ilmi Z., 48 vjeç, Kosta K., 69 vjeç, Artan M., 38 vjeç, Shefqet D., 20 vjeç dhe Irakli P.
Kukës
Përplaset me makinë, ndahet nga jeta 15-vjeçari
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mëngjes në aksin rrugor Durrës-Kukës, ku një djalë 15-vjeçar ka mbetur menjëherë i vdekur pas një aksidenti fatal që ai vetë shkaktoi në kohën kur po drejtonte një automjet. Sipas të dhënave policore, ngjarja ndodhi në afërsi të Kukësit dhe i lënduar mbeti edhe një person tjetër, shtetas turk, i cili ishte duke drejtuar automjetin e tij Benz-Mercedez me targa të Tiranës në kohën që përballë i ka ardhur makina e tipit “Golf”, që po drejtohej nga i mituri pa patentë. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është duke hetuar për shkaqet e vërteta të aksidentit.
Gjirokastër
Sekuestrohen cigare kontrabandë, arrestohet autori
Forcat e policisë së Gjirokastrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një automjetet po transportonte një sasi me steka cigare kontrabandë nga Kakavija për në Gjirokastër, kanë ushtruar një kontroll në hyrje të qytetit jugor, në pjesën e rrugës nacionale. Sipas të dhënave policore, nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Benz”, me targë GJ 72 93 A dhe drejtues Arben Pulerin, 36 vjeç, nga qyteti i Gjirokastrës, rezultoi se në bagazhin e këtij automjeti janë konstatuar 6 koli me cigare të markës “Marlboro”, me mbishkrimin “Duty Free”, gjithsej 3000 (tremijë) copë paketa.
5 Shtator 2009