Nishani: Vrasja e Xhindit do të zbardhet shumë shpejt
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i pyetur nga mediat e interesuara mbi hetimet për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, por edhe duke i dhënë një përgjigje reagimit publik të familjarëve të viktimës, që kërkojnë zbardhjen e krimit, deklaroi se hetimet po ecin mirë dhe se shumë shpejt kjo ngjarje do të zbardhet. “Kanë ndodhur zhvillime esenciale lidhur me këtë ngjarje dhe aktualisht strukturat e hetimit po punojnë në pista konkrete. Megjithatë, vrasja e deputetit Fatmir Xhindi do të zbardhet shumë shpejt”, -deklaroi Nishani gjatë ceremonisë së titullimit të 18 nënkomisarëve në shkollën e formimit policor. Ministri Nishani edhe më parë është shprehur publikisht në Kuvend, i pyetur nga deputetët socialistë, se hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së deputetit po ecnim mirë. Gjatë një seance parlamentare, pas pyetjeve të opozitës, ai deklaroi se policia e ka bërë si duhet punën e saj dhe se shumë shpejt ngjarja do të zbardhet. Familjarët e deputetit të vrarë në datën 2 maj në Roskovec kanë akuzuar strukturat shtetërore se ato po mbajnë peng hetimet për vrasjen e njeriut të tyre të dashur. Sipas ministrit të Brendshëm, kjo ngjarje është e një cilësie të veçantë dhe kërkon kohën e duhur për t’u zbardhur. Por, ai garantoi familjarët dhe opinionin publik se autorët do të vihen para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar. Ditën e djeshme, familjarët e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, u shprehën se i kishin dërguar një letër Presidentit, Kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, ku kërkonin zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorit apo autorëve. Sipas tyre, ishte i habitshëm fakti se pse ngjarja akoma nuk është zbardhur dhe se pas 18 ditëve, ata ende nuk dinë motivin e vrasjes së të afërmit të tyre. Por, për ministrin Nishani, hetimet kanë ecur në mënyrën e duhur dhe se do të duhet dhe pak kohë, kur përgjegjësit e këtij krimi të vihen përpara drejtësisë. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u vra në oborrin e banesës së tij, ndërsa ai ishte duke parkuar makinën. Ngjarja ndodhi në datën 2 maj në Roskovec të Fierit. Vrasësi kishte pritur ndërsa ai kishte mbërritur në shtëpi dhe e qëlloi me breshëri automatiku, ndërsa viktima po parkonte makinën. Viktima mori plumba në kokë dhe trup. Autori i krimit kishte qëlluar dy herë, një herë nga larg dhe nga afër, duke bërë që për viktimën të mos kishte mundësi mbijetese. Një ngjarje e tillë bëri që për zbardhjen e saj të merrnin pjesë hetuesit më të mirë në vend. Sipas ministrit Nishani, punët kanë ecur ashtu siç duhet dhe se shumë shpejt pritet që autori ose autorët të vihen përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për këtë krim të shëmtuar.
Fushata zgjedhore
Djali i deputetit të vrarë, i 11-i në listën e PS-së për zgjedhjet
Djali i deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, është vendosur nga kreu i PS-së, Edi Rama, në listën për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu, sipas burimeve zyrtare, Anduel Xhindi, renditet i 11-ti në listën e Qarkut të Fierit nga 16 kandidatura që janë gjithsej në këtë qark. Deputeti i vrarë kishte arritur që të fitonte për tre legjislatura të drejtën për të qenë në Parlamentin shqiptar. Ai ishte zgjedhur nga votuesit në zonën e Roskovecit, ndërkohë që pas vendimit të marrë nga kryesia e Partisë Socialiste, në vend të të atit është vendosur që në listë të jetë i biri i tij, Andueli, për Qarkun e Fierit. Listat për deputetë u depozituan ditën e djeshme nga kryetari i partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.