Matura, si përjashtohen nxënësit nga provimi
Njëmbëdhjetë lëvizjet që nuk duhet të bëni kur jepni provimet e maturës, janë të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Nëse dikush tenton të mos u bindet këtyre urdhrave, atëherë rrezikon vitin akademik. Ndërkohë ekzistojnë edhe 4 raste kur ai përjashtohet për një vit nga Matura Shtetërore dhe nuk ka të drejtë të japë provimet në fjalë. Maturantët do të përjashtohen një vit nga provimi në rast kopjimi. “Maturanti nuk lejohet të bëjë përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit”, – përcaktohet në rregulloren e re të Maturës Shtetërore, sipas së cilës, edhe në rast se ai dërgon dikë tjetër për të plotësuar tezat e provimeve, nuk ka të drejtë të japë provimet për një vit. Gjithashtu, nxënësit ndalohen të japin ndihmë, informacion dhe kopje me kandidatët e tjerë, e për më tepër është i ndaluar edhe komunikimi i çfarëdollojshëm gjatë provimeve. “Maturanti përjashtohet kur merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve”, – përcaktohet në rregullore.
Rregullorja detyron që maturantët të jenë të pajisur me dokument identifikimi dhe të qëndrojnë në vendin që u caktohet gjatë provimit, në të kundërt ata do të përjashtohen menjëherë, por do të kenë të drejtë të japin provimin vitin në vijim. Maturantët duhet të përdorin në provim vetëm stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe vizore, laps, gomë - vetëm për provimin e matematikës, pasi në rast se përdoret një mjet tjetër, atëherë administratori ka të drejtë ta përjashtojë maturantin. Rezultatet e provimit nuk njihen në rast se maturanti largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit, si edhe kur shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (bar-kodin) të vendosur në test, sipas rregullores së Maturës Shtetërore.
Ndërkohë, edhe vetë dëmtimi i testit mund t’ju penalizojë. Kështu, nëse ju e zhubrosni ose e grisni testin, atëherë nuk do të merret në konsideratë prania tuaj në provim. “Dëmton testin (palos, zhubros, gris) ose nuk e dorëzon atë”, – është kriteri i fundit i vendosur në maturë.
Sipas rregullores së maturës, në rast se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat ndëshkuese, ai urdhëron nxënësin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët. Për më tepër, në rast se nxënësi refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit dhe lejon vazhdimësinë e provimit.
Por, në katër nga këto rregulla, maturantët rrezikojnë humbjen e së drejtës së ripërsëritjes së provimit. Këto raste janë kur maturanti përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër; bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit; merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës/kandidatë të tjerë; ose merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.
Rregullorja e maturës
Neni 54
Përjashtimi ose mosnjohja e rezultateve të provimit të nxënësit/kandidatit
Ditën e provimit, nxënësi/kandidati përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:
54.1 Nuk është i pajisur me dokument identifikimi.
54.2 Nuk qëndron në vendin që i caktohet.
54.3 Përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër.
54.4 Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit.
54.5 Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës/kandidatë të tjerë.
54.6 Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit.
54.7 Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe vetëm për provimin e matematikës vizore e kompas).
54.8 Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.
54.9 Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit.
54.10 Heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test.
54.11 Dëmton testin (palos, zhubros, gris) ose nuk e dorëzon atë.
Neni 55
Penalizimet e nxënësve/kandidatëve
Në qoftë se një nxënës/kandidat thyen rregullat e provimit, atëherë administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:
55.1 Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit.
55.2 Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se nuk zbaton rregullat e pikave 54.3, 54.4, 54.5, 54.8.
Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara në pikën 55.1 ose 55.2, ai urdhëron nxënësin/kandidatin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët.
Në rast se nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit, evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit.
“Design Lab 2009”
Krijimi i pajisjeve, takim me studentët
Përfaqësues të këshillit kombëtar studentor, studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe “Electrolux Design Lab 2009”, realizuan një takim në ambientet e Korpusit të Tiranës. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja nga afër e studentëve të interesuar në këtë projekt. Motoja e këtij konkursi në edicionin e tij të shtatë është krijimi i matur i një pajisjeje shtëpiake, e cila do të ndryshojë mënyrën se si njerëzit do të përgatisin dhe ruajnë ushqimet, lajnë rrobat apo enët e tyre për nëntë dekada në vijim. “Design Lab 2009” ka një çmim të parë prej 5000 euro dhe një internetship 6-mujor të paguar në një nga qendrat e “Electrolux”. Çmimi i dytë 3.000 euro dhe i treti 2.000 euro. Gjatë prezantimit të projektit për të pranishmit, kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor, z. Qamil Dika, falënderoi drejtuesit e “Desin Lab 2009” për mundësinë që i ofrojnë studentëve shqiptarë. Afati i fundit i aplikimit është 31 maj 2009. Studentët mund të informohen me tepër dhe të aplikojnë nëpërmjet www.electrolux.com/design.