E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Trafiku i qenieve njerëzore, si e luftuam në Shqipëri



Shqipëria ka pasur mundësi të përcjellë në Romë suksesin e saj në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, një fenomen ky mjaft i ndjeshëm dhe që e ka prekur vendin tonë pas viteve ’90. Kjo eksperiencë shqiptare u prezantua nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka marrë pjesë dje në kongresin “Mbi dinjitetin nuk ka diskutime”, i organizuar nga komuniteti “Papa Giovanni XXIII” dhe Ministria për Shanse të Barabarta të Republikës Italiane. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë ministra të qeverisë italiane, si ministri për Shanse të Barabarta z. Carfagno, ministri i Drejtësisë, z. Alfano, ministri i Brendshëm, z. Maroni etj. Paraditen e djeshme i ka takuar edhe ministrit Alibeaj që të mbajë një fjalim, i cili pati si temë “Trafikimin e qenieve njerëzore, eksperienca dhe suksesi”, në të cilën foli mbi përvojën shqiptare, mbi mënyrën se si qeveria shqiptare është përpjekur ta luftojë trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe mbi bashkëpunimin me qeverinë italiane, por edhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Përpjekjet e qeverisë shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni, numri një i institucionit të drejtësisë në vendin tonë i ilustroi me dhënien e statistikave në vite, të cilat tregojnë qartë synimin madhor të saj, krijimin e një modeli shoqërie që ka në themel të saj respektin e duhur për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të saj. Sipas ministrit, nga 2005 e në vijim është rritur ndjeshëm numri i procedimeve penale për veprat penale të trafikimit të personave, të femrave për prostitucion, të të miturve. Madje, z. Alibeaj nuk ka lënë pa përmendur edhe krijimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda në vitin 2004 dhe rolin e saj në gjykimin e këtyre çështjeve mjaft të ndjeshme. Sipas tij, gjykatat shqiptare në vitin 2005 kanë gjykuar 40 raste të tilla, nga të cilat në 26 raste janë aplikuar dënime që variojnë nga 10 deri në 25 vjet burgim dhe në 1 rast është dhënë dënimi maksimal - burgim i përjetshëm. Në vitin 2006, evidentohet një rënie, por kjo figurë krimi është përsëri ndër më të lartat me 23 raste dënimi, nga të cilat për 12 raste janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim. Në vitin 2007 rezulton se janë dënuar 10 raste për këtë figurë vepre penale, në 3 raste janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim. Në vitin 2008, janë dënuar 15 raste, në 9 prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim. Në fjalën e tij, ministri Alibeaj e vuri theksin në zbatimin me sukses të Strategjisë Kombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, duke deklaruar se zbatimi efikas i kësaj strategjie dhe i këtij plani kombëtar veprimi është në përputhje me filozofinë e qeverisë për ndërtimin e një shoqërie pa kërcënime nga krimi i organizuar, në paqe dhe në përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Detaje

* Në vitin 2005, gjykatat kanë gjykuar 40 raste të tilla, nga të cilat në 26 raste janë aplikuar dënime që variojnë nga 10 deri në 25 vjet burgim dhe në 1 rast është dhënë dënimi maksimal - burgim i përjetshëm.

* Në vitin 2006, evidentohet një rënie, por kjo figurë krimi është përsëri ndër më të lartat me 23 raste dënimi, nga të cilat për 12 raste janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

* Në vitin 2007 rezulton se janë dënuar 10 raste për këtë figurë vepre penale, në 3 raste prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

* Në vitin 2008, janë dënuar 15 raste, në 9 prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›