E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Bruksel, Di Rupo: E ardhmja e Shqipërisë në BE

Belgjika ka konfirmuar sërish mbështetje për Shqipërinë në rrugën drejt BE. Në një vizitë të kryetarit të partisë Socialiste Edi Rama në Belgjikë kryeministri belg Elio di Rupo tha se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe se për këtë nuk ka dyshime.
“Shqipëria duhet të respektojë zbatimin e ligjeve dhe duhet ta bëjë në mënyrë që të ndryshojë disa sisteme; duhet që transparenca për shembull në procesin elektoral të jetë e padiskutueshme; duhet që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt që nga momenti i parë deri tek rezultati përfundimtar që çdo gjë është korrekte dhe transparente dhe të mos kenë dyshime në këtë drejtim.
Është po ashtu edhe reforma parlamentare, si parlamenti mund të kontrollojë qeverinë pasi në demokracitë moderne është parlamenti që kontrollon qeverinë dhe jo qeveria parlamentin. Pra, fati i Shqipërisë është në Europë, por Komisioni e ka thënë (është edhe këndvështrimi belg) që këto reforma të brendshme të kryhen, dhe nëse këto ndryshime, transparenca, zbatimi i ligjit nuk realizohen, atëherë është e qartë që do të ketë vonesë për të hyrë në Bashkimin Europian. Ashtu siç tha edhe kryetari i Partisë Socialiste, që mbron kandidaturën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të gjithë duan ta ndihmojnë këtë hyrje, por duhet absolutisht të bëhen reformat e kërkuara”, deklaroi kryeministri belg.
I pyetur nëse Shqipëria e meriton ndihmën e Belgjikës për marrjen e statusit kandidat, Di Rupo tha se Bashkimi Europian ka kushte, kushte dhe rregulla themelore që duhen respektuar.
“Po, por duhet të dëgjohet mirë ajo çfarë ne themi. Nuk shkohet në Bashkimin Europian sikur po shëtit në pyll, ka kushte, kushte dhe rregulla themelore që duhen respektuar siç janë transparenca, demokracia, pavarësia e gjyqësorit, si dhe fakti që parlamenti është institucioni më i lartë që kontrollon qeverinë. Shkurt, nuk mund të hyhet në BE sikur po shëtisim në një lëndinë. Ne jemi pro për atë që të mund ta bëjmë që Shqipëria të jetë pjesëtare në BE, ne mendojmë që destinacioni i vendeve ballkanike është në gjirin e Bashkimit Europian, por duhen kryer përpjekjet e domosdoshme, ashtu si edhe vendet e tjera, të garantohet transparenca dhe ndarja e pushteteve” tha kryeministri belg Elio di Rupo.
Gjatë vizitës në Belgjikë kreu I opozitës është takuar edhe me Presidentin e Parlamentit Europian Martin Schultz, ku u diskutua rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Këto dy reforma ishin edhe kryefjala e takimit mes kreut të Partisë Socialiste dhe Drejtorit për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›