E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: “Dosjet” do t’i bëjmë prapë

TIRANE-Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani paralajmëroi dje hartimin e një ligji të ri për 'lustracionin'. Në një prononcim për mediat, ai bëri të ditur se institucioni që ai drejton, shumë shpejt do të vihet në lëvizje për të hartuar një nismë ligjore lidhur me pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Sipas Nishanit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ligjin e dosjeve është marrë në konflikt të hapur interesi. Ministri i Drejtësisë konfirmoi se maxhoranca shumë shpejt do të japë sinjalin se ky dikaster do të rinisë punën me ligjin e dosjeve, të rrëzuar me pa të drejtë sipas tij, nga Kushtetuesja. "Ne jemi të bindur edhe për një sërë faktesh të renditura edhe publikisht, që vendimi për rrëzimin e ligjit të pastërtisë së figurave ka qenë në konflikt të drejtpërdrejtë interesi nga një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pa dyshim që Ministria e Drejtësisë do të vihet në lëvizje menjëherë pas shprehjes së vullnetit të maxhorancës parlamentare", - tha Nishani.
Me marrjen e mendimit nga Komisioni i Venecias, si një institucion i specializuar ndërkombëtar në çështjet e drejtësisë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë ligjin e 'Lustracionit' si në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me një sërë ligjesh organike dhe konventash ndërkombëtare që normojnë garancitë e të drejtave dhe lirive të njeriut.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›